Në seancën e sotme plenare të Kuvendit u vendos futja e projektligjit për prodhimin e armëve me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit.
Shqyrtimi i projektligjit “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, hartuar nga Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosurave, do të bëhet me 25 korrik.
Votimi për futjen e ligjit më procedurë të përshpejtuar solli debate me mazhorancës dhe opozitës.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se ndryshimet po bëhen pas kërkesës së një operatori.
“Ligji i armëve u ndryshua para dy muajsh sepse një operator që merrej me shpërndarje kërkoi që në listë të futeshin 2 lloje të ndryshme armësh municionesh. Para dy muajsh gjithë Parlamenti e ndryshoi ligjin me këtë kërkesë, komisionet brenda ditës u mblodhën. Po ky ligj është ndryshuar para 6 muajsh. Çfarë është kaq urgjente për ligjin e armëve që nuk u ndryshua nga një operator tjetër që e ka kërkuar këtë?”, tha Tabaku.
“U mblodh parlamenti sepse një ofrues që shiste armë kërkoi ndryshimin e listës. Tani po kërkoni të mblidhet sërish parlamenti. Si mund të mblidhemi me kërkesë të një operatori? Kush janë arsyet që nuk u ndryshuan dot para dy muajsh e po kërkohet të ndryshohet tani. Ky është një ligj jo i thjeshtë ka debat dhe prek shumë interesa, është i përafruar me legjislacionin e BE”, u shpreh Tabaku.
Ndërsa deputeti i PS, Toni Gogu tha se, “Rregullorja e Kuvendit ka parashikuar që t’i kërkojë Kuvendit një procedurë të përshpejtuar. Ka sjellë një projektligj të ri. Do të keni gjithë kohën që të denonconi në komisione. Sot ne vendosim dhe kjo seancë plenare ka diskrecitonin ta vendosë. Tani na mbetet të gjithë neve ta votojmë. Vazhdojmë me votimin”.
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj tha se, “nuk bëhet fjalë në ndryshimet në ligjin për armët, është një ligj i ri. Jo më kot e kërkova për rregullimin e provimit tregtimit dhe zhvillimit të armëve. Nuk ka të bëjë me ligjin për armët. Është projektligj i ri. Jemi të qartë edhe me procedurën që na imponon rregullorja. Ka të drejtë Këshilli i Ministrave të paraqesë një kërkesë të tillë. Komision përgjegjës për këtë projektligj do të jete komisioni për Sigurinë Kombëtare. Shqyrtimi i projektligjit do të bëhet me 25 korrik”./ata