Nën drejtimin e kryetarit Arben Pëllumbi, u zhvillua sot mbledhja e Grupit të Gjelbër.
Mbledhja u zhvillua në kuadër të dyvjetorit të krijimit të këtij grupi vullnetar parlamentar, ku u prezantua analiza e zbatimit të objektivave të Agjendës së Gjelbër për periudhën 2022-2024, zhvillimet e deritanishme dhe nevoja për më shumë nxitje.
Në nisje të mbledhjes, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe njëkohësisht Kryetari i Grupit të Gjelbër, Arben Pëllumbi, vuri në dukje nismat ligjore të zhvilluara në legjislacionin e lidhur me Agjendën e Gjelbër si dhe bashkëpunimin me parlamentet e tjera të rajonit gjatë këtyre dy viteve të aktivitetit të këtij organizimi.
Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, organizatës që koordinon aktivitetet rajonale të Grupimit, Erjon Tase, vlerësoi iniciativat e Kuvendit të Shqipërisë në përdorimin e skuterave elektrikë dhe promovimin e mëtejshëm të incentivave për energjinë e rinovueshme dhe transportin e qëndrueshëm.
Njëkohësisht Tase ftoi deputetët që të shfrytëzojnë ekspertizën e ofruar për nisma ligjore që ndihmojnë zbatimin e objektivave të Agjendës së Gjelbër.
Takimi vijoi me një prezantim të situatës së zbatimit të Planit të Veprimit të Agjendës së Gjelbër në periudhën 2022-2024, të hartuar nga ekspertët e pavarur Rodian Gjoka dhe Ray Koçi.
Prezantimi synon të ofrojë informim për deputetët dhe nxitje për të rritur rolin e tyre mbikqyrës ndaj institucioneve publike.
Një vlerësim si deputeti më aktiv gjatë këtyre dy viteve i Grupit të Gjelbër iu akordua Ismet Beqirajt.
Të pranishmit vlerësuan angazhimin profesional të Beqiraj në diskutimet dhe amendamentet e ligjit të gazeve serrë si dhe diskutimet e drafteve të tjera ligjore./ata