Deputetja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi sot në Kuvend se në bordin e menaxhimit të fondacionit të Butrintit janë marrë njerëz pa përvojë dhe se Butrinti i është dhënë një koncesionari që nuk ka njohuri, që ndjek interesin privat dhe që nuk zbaton atë që thotë UNESCO.

Gjatë interpelancës me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Zhupa tha se tha se në shtator mbush një vit si ministër dhe nuk e ka shkelur derën e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

Zhupa ngriti pyetjen se çfarë interesi ka shteti shqiptar që t’i hiqet pasuria nga mbrojtja, apo që pasuria të shpallet në rrezik, siç është rasti i Ohrit prej punimeve Drilon-Tushemisht, apo siç rrezikon Butrinti nga konçesioni.

Zhupa kërkoi shpjegim nga ministri Gonxhja se përse rekomandimet e UNESCO-s nuk kthehen në dokumente pune për qeverinë si dhe përcaktimin e kufijve të Butrintit sipas UNESCO-s.

Në përgjigjen e tij ndaj deputetes Zhupa, ministri Gonxhja tha se MEKI ka dorëzuar para dy muajsh të gjitha hartat e digjitalizuara për të cilat është kërkuar të njehsohen me ato të vitit 1999.

Sipas ministrit të MEKI-t, nuk ka asnjë pikëpyetje tjetër sa i takon këtij vendimi dhe miratimi unanimisht në Indi, në Qendrën e Trashëgimisë Botërore është një përshëndetje për punën e bërë.

“Ne po punojmë dhe jemi duke përmbyllur një plan veprimi, kompleks në vetvete, që synon forcimin e rolit të institucioneve publike, në zbatimin e një plani të integruar të menaxhimit të një pasurie botërore”, u shpreh Gonxhja.

Ministri hodhi poshtë pretendimet se nuk është përfshirë ekspertiza shqiptare në këtë proces, madje i falenderoi ata për angazhimin dhe tha se është krenar për ta.

“MEKI nuk ka për qellim të fshehë këto “detyra shtëpie”, të cilat janë pjesë e punës tonë, dedikimit dhe programeve tona tashmë të miratuara në organet vendimmarrëse”, tha Gonxhja në kuvend.

Sa i përket akuzave të Zhupës për mbrojtjen e interesave të AADF dhe jo interesave publike, kreu i MEKI-t tha se ky fond i dedikohet Shqipërisë me anë të një statuti që është për t’u krenuar si program që i dedikohet një misioni që ka lidhje me interesin publik dhe jo atë privat.

Gonxhja bëri të ditur se janë rritur me 20-fish investimet direkte në trashëgiminë kulturore krahasuar me vitin 2013. Kjo vjen falë financimeve domethënëse të huaja, drejtpërdrejt në interes publik.

“Unë nuk mundem që të pranoj dot tani që ju këtu të thoni që AADF ka lindur si një ndërmarrje biznesi. AADF vjen pas Fondit Amerikan të Ndërmarrjeve, cili kur është mbyllur mund të kthehej në SHBA. Me vendimin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar, ky fond u vu në dispozicion të një projekti I cili kishte të bënte vetëm me shërbimin ndaj interesit publik për projekte sociale, kulturore dhe trashëgimisë dhe zhvillimit në bashki të ndryshme të vendit. Këtu lind AADF e cila është një fondacion jo fitimprurës. Vetëm për vitin 2023 në trashëgiminë Kulturore investimet direkte janë 65 milion euro. E dini sa janë nga shteti shqiptar? Mezi bëhen 4. Pa këta njerëz që janë privat, jo publik ne nuk mund ta mbajmë dot atë vend, këtë shtet, këtë vend ku njerëzit vijnë. Vijnë se i magjeps ky vend, ky realitet që gjejnë. Kjo bëhet me punë dhe kjo punë do lekë, do fonde. Këto fonde janë 65 milion euro. Kjo është punë për kombin shqiptar, shtetin shqiptare, qytetet, trashëgiminë kulturore. Kjo punë nuk mund të bëhet me paratë e taksa paguesve shqiptar. Duhet të kemi respekt që bashkë investojnë me ne që në shumicën e rasteve janë të huaj”, tha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në Kuvend./ata