Përpara bashkisë së Tiranë u zhvillua sot protesta e radhës e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së  Lirisë.

Në protestën e sotme nuk u shënuan incidente.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në fjalën e tij theksoi se qytetarët tashmë e kanë kuptuar se po grabiten, nisur nga rritja e taksave.

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu tha se “në vend që SPAK të merret me hajdutët, merret me liderin e opozitës, sepse Berisha kërcënon mafien e inceneratorëve dhe korrupsionit. Sot nuk është më pyetja pse të protestojmë, sot nuk ka më arsye se përse të mos protestojmë.

“Opozita nuk është kundër projekteve, është kundër vjedhjeve, krimit dhe jo kundër zhvillimit të zonës. Ato zona, janë bërë në kohën e PD, janë zhvilluar”, tha Balliu.

Ndërsa Adriana Kalaja theksoi se “ne kemi provuar se koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha akuzat tona. Do të jemi këtu sërish, do jemi këtu çdo javë, nuk do na ndërpresë askush për të kërkuar arrestimin e Erion Veliajt dhe lirimin e liderit tonë, Sali Berisha”.

Në fund të protestës, organizatorët dhe qytetarët thanë se do kthehen sërish të enjten tjetër./ata