Qeveria shqiptare aktualisht ka në llogaritë e saj rreth 753 milionë euro borxh të nënshkruar dhe të pa tërhequr.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave stoku i borxhit të pa tërhequr u rrit me 25 për qind në krahasim me vitin 2021.
Në llogaritë e borxhit publik ka ende hua të nënshkruara për importet emergjente të vitit 1992, që kanë afat për tërhequr deri pas vitit 2030.
Stoku i kredive të pa tërhequra janë ndaj shteteve të ndryshme dhe bankave të zhvillimit. Shumica e tyre e kredive janë për projekte investimesh në infrastrukturë sidomos në zhvillimin e qëndrueshëm dhe infrastrukturën e zonave rurale, për tërheqjen e të cilave nuk janë përmbushur kushtet.
Huatë e donatorëve shoqërohen me disa kushte që nisin që nga hartimi i projekteve, standardet e prokurimit etj., duke bërë që pala shqiptare shpesh te mos përmbushë afatet e disbursimit sipas parashikimit.
Për shkak të krizave të njëpasnjëshme të tërmetit të vitit 2019, pandemisë Covid-19 dhe tani krizës që krijoi lufta në Ukrainë qeveria shqiptare zgjeroi financimin me borxh, por në finale jo të gjitha fondet e nënshkruara u përdoren. I tillë është edhe rasti i mbështetjes emergjente rreth 190.5 milionë dollarë që dha FNN gjatë pandemisë Covid-19, por që nuk u tërhoq nga Shqipëria.
Gjatë vitit 2022 stoku i borxhit publik shënoi ulje për herë të parë që nga viti 1995. Stoku i borxhit në vlerë arriti gjatë vitit të kaluar në 1,378,400 milionë lekë me ulje o,3% duke kthyer kurbën poshtë për herë të parë pas 27 vitesh.
Si rrjedhojë ulje ka pësuar edhe borxhi si raport me PBB që në fund të vitit 2022 arriti në 66,97% të PBB-së me një rënie 6.2 pikë për qind në krahasim me vitin 2021.
Vitin e kaluar, sektori fiskal i qeverisë pati zhvillime pozitive në drejtim te të ardhurave buxhetore. Në vitin 2022, arkëtimet u rriten me 12% në krahasim me vitin 2021, pasi rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndikoi që prej tatimeve në përqindje të vileshin më shumë të ardhura.
Gjatë periudhës nga viti 2017 deri në vitin 2019, borxhi publik qenë në një trajektore rënëse nga 70.1% e PBB në fund të vitit 2017 në 65.7% e PBB në fund të vitit 2019. Gjatë vitit 2020 dhe 2021, Borxhi i Qeverisjes Qendrore shënoi rritje duke kapur nivelin prej 73.1% e PBB në fund të vitit 2021. Në vitin 2022 treguesi ju kthye rënies në rreth 67% të PBB si rrjedhojë e mos shfrytëzimit e të gjithë hapsirës së planifikuar për tu financuar me borxh.
/Monitor