Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Türkiye pa një "solidaritet të fortë ndërkombëtar" pas tërmeteve vdekjeprurëse të muajit të kaluar që tronditën provincat jugore të vendit.
"Ne kemi një frazë… ‘Të bashkuar mbahemi, të bashkuar jemi më të fortë’ dhe ne besojmë në këtë. Unë e di që shumë vende evropiane gjithashtu e përdorin këtë frazë. Tani, ne po shohim solidaritet të fortë ndërkombëtar në një kohë fatkeqësie që po kalojmë. Kjo mbështetje jo vetëm që na jep moral, por na jep edhe forcë", tha Çavuşoğlu në fjalën e tij para ambasadorëve të vendeve evropiane në Ankara.
"Ne kemi përjetuar një fatkeqësi që çoi në humbje të mëdha të jetëve dhe shkatërrime të mëdha në historinë e republikës sonë", u shpreh Çavuşoğlu.
Duke bërë thirrje për veprim të përbashkët për çështjet që kërcënojnë njerëzimit, ai tha se Türkiye ka qenë "vendi më bamirës në botë sipas të ardhurave të saj kombëtare pasi qëndroi pranë kujtdo që ka nevojë për ndihmë".
"Ne e kemi parë se të gjitha vendet janë në anën tonë, nga vendet më të zhvilluara deri te vendet më pak të zhvilluara", tha ministri turk, duke kujtuar pjesëmarrjen e tij në takimin e fundit të ministrave të jashtëm të G20-tës në kryeqytetin indian New Delhi dhe Konferencën e 5-të të OKB-së për vendet më pak të zhvilluara (LDC5) në kryeqytetin Doha të Katarit.
Sipas tij, "BE-ja me vendet anëtare, vendet kandidate dhe institucionet e saj ka një peshë të madhe në këtë mbështetje".
Çavuşoğlu gjithashtu falënderoi të gjitha vendet që dërguan zyrtarët e tyre në vizita solidariteti në Türkiye dhe në rajonet e saj të goditura nga tërmeti.
Duke theksuar se ekipet e BE-së të ndihmës urgjente dhe kërkim-shpëtimit u dërguan menjëherë në Türkiye, Çavuşoğlu tha se vendi i tij do të vazhdojë bashkëpunimin me BE-në në proceset e rimëkëmbjes dhe rindërtimit në periudhën e ardhshme.
"Natyrisht, Türkiye është një vend i rëndësishëm në shtëpinë tonë të përbashkët, në Evropë. Türkiye është një fqinj, një partner tregtar ose një aleat i shumë vendeve që janë këtu sot", tha Çavuşoğlu, duke shtuar se "tërmeti edhe një herë na kujtoi jo vetëm fqinjësinë, miqësinë dhe aleancën tonë, por edhe lidhjet tona njerëzore".
Ai shprehu shpresën që kjo frymë solidariteti, aleance dhe miqësie të "reflektohet në të gjitha dimensionet e marrëdhënieve Türkiye-BE në periudhën e ardhshme".
"Zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare tregojnë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë në nivel global", theksoi ministri turk.
Më 6 shkurt, dy tërmete të fuqishme 7,7 dhe 7,6 ballë goditën Türkiye-n jugore. Lëkundjet e fuqishme me qendër në provincën Kahramanmaraş gjithashtu tronditën edhe 10 provinca të tjera, respektivisht provincat Hatay, Gaziantep, Adıyaman, Malatya, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ.
Si pasojë e tërmeteve, mbi 46.100 njerëz humbën jetën dhe rreth 13.5 milionë njerëz janë prekur, me mijëra ndërtesa të shkatërruara./AA