Sot është 6-vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçit.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftoi për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të shtetit jugosllav.

Në vitin 1958 e dënuan me 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve politike e atdhetare. Ndërkaq, në vitin 1963 themeloi në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi u dënua asokohe me 15 vjet burg.

Adem Demaçi u mbajt rreth 28 vjet në burg në kohën e regjimit të egër të RFSJ-së, disa vite i vetëm në qeli. Pikërisht për këtë, e kanë quajtur Mandela i Evropës.

Pasi u lirua nga burgu në vitin 1990, udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Europian me Çmimin “Saharov”.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës ishte tejet aktiv në jetën qytetare, por nuk iu dha ndonjë pozitë zyrtare në shtetin e Kosovës.

Demaçi ishte gjithashtu autor i disa librave, ku mund të veçojmë romanin “Gjarpijtë e gjakut”. Kjo vepër letrare kishte aluzione dhe metafora të qarta politike dhe përçonte mesazhin se shqiptarët në Kosovë duhej t’i linin mënjanë mëritë dhe hasmëritë me njëri-tjetrin dhe energjinë e tyre ta drejtonin kundër pushtuesit serb. Libri ishte shkruar në gjuhën e popullit, në mënyrë që të kuptohej nga të gjithë banorët e trevave shqiptare./ata