Bashkia e Shkodrës dhe ajo e Ulqinit do të lobojnë bashkërisht për heqjen e taksës së sigurimit 15 euro, që shtetasit shqiptarë paguajnë kur udhëtojnë me automjet në pikat e kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Vendimi u mor gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë e Shkodrës, ku kryebashkiaku Benet Beci priti kryetari e komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe një ekip drejtuesish nga kjo komunë.

Kryebashkiaku Beci, në një postim në rrjetet sociale, ndau pamje nga takimi, teksa theksoi se Shkodra dhe Ulqini do të thellojnë bashkëpunimin jo vetëm si dy qytete tradicionalisht të lidhura dhe me histori të përbashkët, por bazuar edhe në projekte të reja.

“Në nisje pata kënaqësinë të shprehja mirënjohjen e veçantë për Gencin dhe komunën që ai drejton tashmë, të cilët na u gjendën pranë me shumë gatishmëri e profesionalizëm në procesin e menaxhimit dhe shuarjes së zjarrit të rënë më 14 qershor të këtij viti në tregun e Perashit. Gjatë thuajse dhjetë viteve të fundit, në funksione të tjera, me Gencin kemi patur mundësinë të bashkëpunojmë e të çojmë përpara ide, që sot po konkretizohen.
Kjo është një arsye më shumë për të qenë optimist për takimin e parë të sekretariatit koordinues të bashkëpunimit mes dy njësive tona drejtuese”, u shpreh Beci.

Kryebashkiaku Beci theksoi se gjatë këtij takimi me stafin drejtues e specialistët e pranishëm ramë dakord për një bashkëpunim të ngushtë dhe të ndërsjelltë ekonomik mes Shkodrës dhe Ulqinit, me koordinimin dhe shkëmbimin e përvojave të bizneseve.

“Krijimin e mundësive reale për kthimin e Bunës në të lundrueshme dhe shfrytëzimin e mundësive dhe burimeve të Liqenit të Shkodrës si motor ekonomik për të dyja vendet. Bashkëpunimin në kulturë, arsim, projekte ndërkombëtare, shërbime të përbashkëta dhe përgjigje ndaj emergjencave. Dakordësuam të lobojmë në dy qeveritë tona, atë të Shqipërisë dhe Malit të Zi, për heqjen e pagesës së siguracionit 15 euro që shtetetasit shqiptarë paguajnë në pikat e kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Malin e Zi”, tha Beci.

“Takimin e sotëm, që shpreh bindjen se do ta pasojmë me punë konkrete, e përmbyllëm në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, mes historisë dhe fotografive që nxjerrin në pah lidhjen e kahershme që kanë Shkodra dhe Ulqini”, përfundon postimin e tij Beci./ata