Instituti i Historisë dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) nënshkruan një marrëveshje që synon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore me fokus historinë e periudhës 1945-1990.

Instituti i Historisë vëren se në Tiranë janë të pakta institucionet që merren me aktivitet kërkimor.

Ndaj lidhur me pjesën historike pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitet ’90, fokusi kërkimor angazhon në një marrëveshje bashkëpunimi këtë institut me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) krijuar nga parlamenti me ligj të veçantë.

Gjatë viteve dy institucionet kanë pasur bashkëpunim në konferenca, aktivitete dhe botime, por së fundi dy institucionet konkluduan në hartimin e një marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi me fokus kërkimet shkencore dhe aksesin në arkiva.

Marrëveshja e nënshkruar nga dy drejtuesit aktual të instituteve parashikon po ashtu edhe organizimin dhe jetësimin e aktiviteteve shkencore, konferencave, simpoziumeve, forumeve të debatit lidhur me fokusin e dy instituteve.

Po ashtu parashikohen projekte të përbashkëta shkencore dhe botime të gjinive të ndryshme (monografi, vëllime me dokumente, studime me shumë autorë); bashkëpunim me studiues dhe institucione shqiptare e të huaja të historisë dhe memories; shkëmbim me akses të lirë të materiale arkivore dhe literaturës shkencore; si dhe në sigurimin e dokumenteve arkivore nga palë të treta (arkivat e ndryshme shqiptare dhe të huaja), etj.

Instituti i Historisë ka nënshkruar marrëveshje të tilla edhe me institucione të tjera, si IH në Kosovë, ATSH, AQFA, QKLL, AMPEPJ, etj, si dhe me disa institucione studimore në Britaninë e Madhe, Itali, Gjermani, Austri, Rumani, etj./ata