Institucionet publike parashikojnë që niveli i papunësisë deri në fund të vitit do të arrijë në 10.5 për qind, niveli më i ulët ndonjëherë. Kjo për shkak kryesisht të pakësimit të numrit të popullsisë.

“Shifrat janë një tregues shumë i mirë për të dhënë një panoramë të realitetit, por ndonjëherë ato shërbejnë për të treguar një realitet më ndryshe nga sa është realisht”, thotë për A2 CNN, Klodian Muço.

Në Shqipëri ka më pak të papunë... të paktën bazuar te shifrat zyrtare që institucionet raportojnë. Madje sipas Ministrisë së Financave deri në fund të vitit, papunësia do të ulet edhe më tej duke arritur në vetëm 10.5 për qind nga 10.7 për qind fund-vitin e shkuar.

Kjo bazuar te të dhëna e reja të popullsisë, tashmë me 2.4 milionë shqiptarë. “Të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave treguan se kemi më pak shqiptarë. Gjithashtu kemi edhe tendencë plakëse. Shkalla e papunësisë llogaritet si përqindje ndaj forcës së punës. Duhet kuptuar nëse ka rënë papunësia se ka më shumë të punësuar apo se ka më pak njerëz në vend”, thotë Muço.

Bazuar te pritshmëritë e institucioneve publike, papunësia në Shqipëri brenda këtij viti do të parëzohet me vendet europiane si Spanja apo Greqia. “Treguesit e punësimit në shifra faktike janë në rënie. Vetëm administrata publike ka pasur rritje të numrit të të punësuarve. Biznesi privat ka sot më pak njerëz të punësuar. Ndaj rrjedhimisht, mund të themi se sot kemi më pak popull e rrjedhimisht më pak të papunë”.

Më shumës e se sa pyetja nëse kemi rënie të papunësisë apo popullsisë, ajo që sipas ekspertëve është më alarmante është se “Kush do të punojë”? Të dhënat e Censit tregojnë se më shumë se 1.9 milionë në 2011-n, popullsia në moshë pune është tkurrur në rreth 1.5 milionë.

Tkurrja e popullsisë në moshë pune me mbi 18 për qind në një dekadë bën që ekonomia dhe bizneset në vend të përballen me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve./Tema