Dhimitër Shuteriqi (Elbasan, 1915 – 22 korrik 2003) ka qenë publicist, partizan i Frontit Nacional-Çlirimtar në Luftën e Dytë Botërore, punonjës, bashkëthemelues dhe drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve (1954-’73), deputet i Kuvendit Popullor (1950-’74), shkrimtar dhe historian i letërsisë shqiptare.

U lind në Elbasan në një familje intelektuale, i biri i Simon Shuteriqit, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit, si dhe një ndër themeluesit e Normales. Dhimitri ndoqi mësimet në Liceun e Korçës dhe më pas shkollimin e lartë e ndoqi në Universitetin e Grenoblit dhe Lionit, në Francë. Më 1942-1943 jepte mësim në Elbasan; më 12 maj 1943 u zgjodh sekretar i këshillit krahinor nacionalçlirimtar për komitetin qarkor të Elbasanit

Më 2 mars 1946 në Drejtorinë e Shtypit dhe Propagandës pranë Ministrisë së Shtypit, Propagandës e Kulturës Popullore, u krijua një komision që ngarkohej «për t’u dhënë liri qarkullimi» librave të botuar deri në atë kohë në Shqipëri, pjesë e të cilit ishte edhe Shuteriqi si themelues e punonjës i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më 1947 u emërua drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik. Më 1950 u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor deri më 1974 si përfaqësues i rrethit të Gramshit në fillim e më pas i Elbasanit. Më tej nga 1954 drejtoi për 19 vite me radhë organizatën e Lidhjes së Shkrimtarëve, edhe pasi u riorganizua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 1957.

Si pasojë e revolucionit kulturor, më 1973 u denoncua si shumë të tjerë si borgjez, revizionist e dekadent. Gjithashtu i dhanë vërejtje për tregimin “E vërteta lakuriq” botuar në gazetën “Drita” më 8 shtator 1974, të cilat i pranoi.

Ilo Mitkë Qafëzezi ndihmoi Shuteriqin për studimet e letërsisë së vjetër shqipe, më pas u akuzua nga studjuesi paleograf korçar për shfrytëzimin pa kriter dhe pa leje të dorëshkrimeve të tij që gjendeshin në Institutin e Historisë që në kohën e luftës pa ia cituar “pronjërinë intelektuale”. Shuteriqi nuk e paraqiste me akribinë shkencore dhe të së drejtës ndihmën e Qafëzezit, pikë së pari, për studimet me karakter peigrafik të shkrimtarëve të vjetë shqiptarë, sidomos të shkollës së Voskopojës (Kavalioti, Dhanili, Berati).
Titujt e veprave

Kangët e rinisë së parë, 1935
Kangë, 1936
Çlirimtarët, roman, 1952
Gurneçka, tregime, 1957
Fyelli i Marsiasit, 1963
Gjashtëdhjetë tregime në një, tregime
Tregime të zgjedhura, 1972
Një mal me këngë, 1975
Kur rendte hëna nëpër re, 1982
Vërshimet e vjeshtës, 1984
Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, 1976
Autorë dhe tekste, 1977
Mbi Barletin dhe shkrime të tjera, 1979
Sytë e Simonidës, 1998
Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879 – 1800, 2005
Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe, 2010
Aranitët: historia-gjenealogjia-zotërimet, 2011./Tema