Qasje e re në katër drejtime, duke iu dhënë më shumë fuqi bashkive në territorin e tyre. Është kjo formula e re që do të përdoret prej vjeshtës, për t’i dhënë një tjetër hov procesit të legalizimeve të ndërtimeve në vend. Janë 237 mijë e 884 prona., pjesa më e madhe banesa, ndjekur nga njësitë socio-ekonomike dhe ato të kombinuara që pritet të marrin një certifikatë pronësie.
“Ligji i legalizimeve është përdorur si një kalë beteje në fushata elektorale. Ideja e marrjes së një certifikate e leje legalizim i është tundur votuesit shqiptar para syve siç gjuetari përdor karremin për prenë e tij”, tha kryetari i shoqatës ‘Pronësi me Drejtësi’, Myrshit Vorpsi.
Tirana është bashkia me numrin më të madh të pronave në proces legalizimi, ndjekur nga Shkodra, Durrësi, Kamza dhe Vola. Ndërkohë, Hasi, Libohova, Pusteci, Këlcyra dhe Skrapari janë bashkitë me numrin më të ulët të ndërtimeve pa leje.
“Thelbi i kësaj marrëveshje dhe këtij vendimi të qeverisë janë zonat urbane të cilat kanë një prioritet të jashtëzakonshëm zhvillimi.”
Me qëllim përshpejtimin dhe përmbylljen e procesit edhe para vitit 2028 siç ligji përcakton, në bashki do të ngrihen zyra të posaçme me punonjës të specializuar që do të ndihmojnë qytetarët. Procesi pritet të shoqërohet me kosto të mëdha për buxhetin e shtetit.
“Nëse themi dhe pranojmë se vetëm 1/3 që kanë titull pronësie që do të shpronësohen për efekt legalizmi se të tjerët mund të jenë tokë-shtet. I thonë një sipërfaqe prej 4000 ha. Për 339 ha që kanë dalë vendimet e qeverisë, fatura financiare e është 40 mld lekë. Po për 4 mijë ha? Një pikëpyetje e madhe?”
Procesi i legalizimeve të ndërtimeve nisi në vitin 2006 dhe prej atëherë kanë marrë certifikatën e pronësisë rreth 250 mijë familje./Tema