Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu vizitoi sot bazën e Forcave Tokësore në Zall-Herr ku takoi dhe njohu nga afër djemtë, vajzat dhe drejtuesit e lartë, të cilët u shpreh ai, “janë krenaria jonë kombëtare”.
Vëngu takoi nga afër gratë dhe burrat në uniformë të Forcës Tokësore, të cilët mbajnë peshën kryesore si në operacionet në mbështetje të popullsisë civile brenda vendit, ashtu edhe në misionet ndërkombëtare, në kuadër të NATO-s.
“Forca jonë tokësore ka qenë në pararojë të transformimeve modernizuese që prej anëtarësimit në NATO dhe mban sot peshën kryesore të kontributeve tona në sigurinë kolektive dhe në misionet jashtë vendit”, theksoi Vengu në fjalën e tij përshëndetëse para shtabit dhe efektivëve.
Kjo peshë specifike e Forcës Tokësore reflektohet dhe në angazhimin e saj në mbështetje të operacioneve të mbrojtjes civile dhe adresimit të fatkeqësive natyrore me 4500 efektivë pjesëmarrës në operacione të ndryshme në mbarë vendin, që prej fillimit të vitit 2024″, tha Vëngu.
Ministri u ndal tek rendësia e ofrimit të një mbështetjeje të gjithanshme për personelin tonë ushtarak. “Nuk mund të kemi programe modernizimi dhe rritje kapacitetesh të sukseshme pa vendosur në qendër të veprimtarisë sonë personelin tonë ushtarak. Kjo përbën një përparësi të qeverisë Rama, për një personel ushtarak të mirë trajnuar, të mirë pajisur dhe të mirë paguar”, tha Vëngu.
Me rastin e prezantimit të ecurisë së proceseve të rekrutimit, Ministri nënvizoi se rritja e interesit për rekurtimet afërsisht 50% më shumë se viti i kaluar dhe rekordi i aplikimeve të këtij viti për Akademinë e Forcave të Armatosura me 1114 aplikues për 70 kuota studimi është një sinjal pozitiv që tregon se Forcat e Armatosura janë një pol tërheqës për gjeneratat e reja, në të gjithë gamën e profesioneve dhe karrierës prestigjioze që ofrojnë Forcat e Armatosura.
“Ky sinjal duhet mbështetur duke ofruar më shumë meritokraci, mundësi zhvillimi profesional dhe më shumë siguri ekonomike për familjet e efektivëve tanë”, u shpreh Vëngu.
Në kuadër të takimit njohës me shtabin e Forcës Tokësore, Ministri Vengu i uroi gjithashtu suksese në detyrën e re zv.Komandantit të sapoemëruar të Forcës Tokësore, Gjeneral brigade Altin Kurti./ata