Erisa Ozuni, është infermierja më e re e spitalit të Prrenjasit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu solli sot shembullin e Erisës e cila është punësuar falë portalit “Infermier për shqipërinë”.

Koçiu tha se Ozuni tashmë shërben me përkushtim në vendlindjen e saj, duke kontribuar për të përmirësuar kujdesin shëndetësor për komunitetin e saj.

“Faleminderit Erisës dhe të gjithë kolegëve të saj për përkushtimin dhe punën e palodhur çdo ditë në shërbim të qytetarëve tanë”, theksoi Koçiu.

Infermierja Erisa Ozuni tha se falë portalit “infermier për Shqipërinë arrita të marr pikët maksimale dhe sot të punoj në spitalin Prrenjas”.

Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.

Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor./ata