Portali “Infermierë për Shqipërinë” për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot lajmin e mirë të punësimit përmes këtij portali të 196 teknikëve të shkencave mjekësore.
“196 teknikë të rinj të shkencave mjekësore i janë bashkuar sistemit tonë publik vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, në shërbim të qytetarëve pranë qendrave shëndetësore, spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake”, tha Koçiu.
“Infermierë, mami, fizioterapistë, logopedë, teknikë imazherie e teknikë laboratori, janë punësuar përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” që siguron transparencë, meritokraci dhe profesionalizëm”, theksoi Koçiu.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.
Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit./ata