Kuvendi i Shqipërisë mbrëmjen e 26 korrikut ka miratuar disa ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe për herë të parë mundësohet votimi i diasporës. Ndryshimet u miratuan me 106 vota për, dy kundër, ndërkaq pjesa tjetër e deputetëve u larguan para votimit. Ndryshimet parashohin që një e treta e listës së kandidatëve për deputetë të jetë e mbyllur dhe t’i lihet ekskluziviteti kryetarit të partisë, ndërkaq kandidatët e tjerë duhet të fitojnë qoftë edhe një votë më shumë për t’u zgjedhur deputetë.

Partia Socialiste (PS) në pushtet dhe Partia Demokratike (PD) në opozitë arritën pajtim edhe për kuotat gjinore dhe sipas ndryshimeve, 30 për qind e fituesve në listën preferenciale do të jenë gra. Pajtimi mes këtyre dy partive për miratimin e këtyre ndryshimeve u arrit në Komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Damian Gjiknuri prezantoi para deputetëve produktin e këtij bashkëpunimi.

“Zgjedhësi do të regjistrohet në listën e veçantë të zgjedhësve. Dokumentacioni i regjistrimit do të përmbajë çdo informacion të nevojshëm që vërteton identitetin e zgjedhësit dhe adresën e qëndrimit në vendin ku jeton. Gjithçka do të realizohet në një platformë elektronike që do të ndërtohet nga KQZ-ja, që dërgon me postë materialet, udhëzuesit dhe fletët e votimit. Vota do të llogaritet në qarkun ku ka pasur vendbanimin e fundit”, tha Gjinkuri duke iu referuar mundësimit të votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

 

Deputeti Gjinkuri hodhi poshtë akuzat e disa deputetëve të opozitës të cilët i cilësuan këto ndryshime si “pazar politik” për Sali Berishën, duke e krahasuar me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2008. Mes deputetëve që kundërshtuan këto ndryshime ishte edhe Lulzim Basha, i cili tha se miratimi i ndryshimeve është pazar politik mes ish-kryeminstrit Berisha dhe kryeministrit socialist, Edi Rama.

Sipas tij pazari mes Berishës e Ramës nisi me amnistinë penale, më pas me vendimin e Apelit që i kaloi vulën e Partisë Demokratike Berishës dhe tani me reformën zgjedhore. Në seancën maratonë të së premtes u miratuan 19 projektligje dhe pesë projektvendime, mes të cilëve edhe ai për prodhimin dhe tregtimin e armëve. Seanca e fundit për këtë sesion parlamentar u mbyll me dorëheqjen e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla./ REL