Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pas votimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ditën e djeshme, duke sqaruar se u respektuan tre vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk është miratuar asnjë Reformë Zgjedhore.

Bardhi shkruan se në sesionin e ri parlamentar është detyra e opozitës që të vijojë përpjekjet për një Reformë Zgjedhore kuptimplotë.

“Në votimin e djeshëm në Kuvend, nuk ka patur Reformë Zgjedhore, por vetëm zbatim të tre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Reforma Zgjedhore kuptimplotë është bllokuar prej vitesh nga Edi Rama, dhe ata që për dy vite e lanë në heshtje, edhe pse ishin mandatuar për ta çuar përpara.

Pas përmbushjes së detyrimit për zbatimin e tre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në sesionin e ri parlamentar është detyra jonë që të vijojmë përpjekjet për një Reformë Zgjedhore kuptimplotë, që jo vetëm reflekton rekomandimet e OSBE/ODIHR, por siguron edhe garancitë minimale për barazi të palëve në garë dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Minimumi duhet të lejohet ajo që iu garantua Edi Ramës në 2013 kur ishte në opozitë. Kjo ndan demokracitë nga regjimet”, shkruan Bardhi.

“Në emër të grupit parlamentar të PD apeloj partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Misionin e OSBE dhe Delegacionin e BE në Tiranë, që të nxisin, gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar, përmbushjen nga Edi Rama të detyrimit për një Reformë Zgjedhore kuptimplote, që jo vetëm reflekton rekomandimet e OSBE/ODIHR, por siguron edhe garancitë minimale për barazi të palëve në garë dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, vijon Bardhi.

“Shqipëria europiane bëhet realitet vetëm nëse vendi garanton zgjedhje të barabarta, të lira dhe të ndershme. Edi Rama nuk mund të pengojë për pushtetin e tij personal të ardhmen europiane të Shqipërisë”, përfundon Bardhi./ata