Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar një takim me ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, Bojan Božović, i cili ka marrë detyrën e re në drejtimin e kësaj ministrie.
Në një postim në rrjetet sociale, Manja thekson se gjatë takimit u ra dakortë për zhvillimin e takimeve periodike në nivel teknik për Kapitullin 23, duke u alternuar mes Tiranës dhe Podgoricës. “Ky bashkëpunim i ngushtë është sinjal i qartë për BE-në se Shqipëria dhe Mali i Zi janë të angazhuar seriozisht për t’iu bashkuar familjes evropiane. Për një Ballkan më të fortë dhe evropian për qytetarët tanë”, shkruan Manja në një postim në Facebook.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja mori pjesë në Konferencën Ministeriale të Drejtësisë BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Mal të Zi. Konferenca u fokusua në drejtësinë digjitale, integrimin e Inteligjencës Artificiale dhe bashkëpunimin ndërkufitar në fushën penale. Ky event, i organizuar nga presidenca hungareze dhe i mikpritur nga ministri i Drejtësisë të Malit të Zi, bashkoi ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Ministri ka theksuar faktin se drejtësia digjitale dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale janë hapa të rëndësishëm në modernizimin e sistemit të drejtësisë, duke siguruar një akses më të lehtë dhe më efikas për qytetarët./ata