Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet, tha sot se ndryshimet e votuara dje në Kodin Zgjedhor nuk kanë të bëjnë me një reformë zgjedhore, por janë vetëm zbatim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Berisha, duke iu referuar ndrsyhimeve të votuara nga 106 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilat i hapën rrugën votimit të emigrantëve dhe saktësuan formën e shpërndarjes së mandateve, lidhur me votën preferenciale, tha se ata që e quajnë këtë një reformë zgjedhore, mashtrojnë.
“Së pari, të gjithë ata që bëjnë fjalë për Reformë Zgjedhore në këtë rast mashtrojnë me qëllim apo janë vetë të mashtruar. Nuk ekziston absolutisht asnjë marrëveshje lidhur me Reformën Zgjedhore. Ndryshimet e votuara në Parlament në Kodin Zgjedhor nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me Reformën Zgjedhore të rekomanduar nga OSBE/ODHIR për zgjedhje të drejta dhe të ndershme në Shqipëri. Pra nuk është trajtuar asnjë pikë e vetme e rekomandimeve të OSBE/ODHIR”, u shpreh Berisha.
“Së dyti, dy problemet e trajtuara nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe të votuara mbrëmë në Parlament nuk kanë asnjë lidhje me reformën zgjedhore të rekomanduar nga OSBE/ODHIR, por vetëm me zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht për votimin e shqiptarëve jashtë shtetit, një e drejtë kjo themelore kushtetuese për çdo shtetas shqiptar.
Ky votim ka qenë premtim solemn publik i kahershëm, para vitit 2013 dhe pas vitit 2013, i Partisë Demokratike. Ne jemi vendi i vetëm në Europë në të cilin bashkatdhetarët tanë jashtë vendit nuk votojnë dhe kjo vetëm e vetëm sepse Edi Rama e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe kategorike këtë të drejtë kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendi”, tha Berisha.
Dhe, vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese kishte të bënte me herësin. Kjo Gjykatë ka vendosur që herësi prej 10 mijë votash që duhej thyer për të fituar një vend në Parlament jashtë listës së mbrojtur duhet të ishte në proporcion, në mënyrë që lista të ishte më e hapur. Po theksoj, këtu Gjykata nuk vendosi heqjen e herësit, por të themi zvogëlimin dhe zbutjen e tij. Partia Socialiste propozoi që herësi të zbritej në 7 mijë vota, kurse PD kërkoi heqjen fare të herësit, duke bërë kështu që vendet në listën e hapur të fitohen nga deputetët që kanë, nëse e ke hapur është kaq: që kanë marrë nga qoftë edhe një votë më shumë sesa tjetri që renditet në listë para tij. Mendoj se ky akt është një hap i ri drejt hapjes. Në rast se në herësin qe ekzistonte më parë u futën gjithsej 3 veta që thyen herësin prej 10 mijë votash, me këtë sistem mundësia për t’u futur në parlament në këtë garë ekziston për 40 deputetë. Nuk e mohoj ne kemi qenë për një përqindje më të vogël se 1/3 në listën e mbrojtur, por natyrisht Partia Socialiste, e cila pranoi heqjen e herësit, nuk pranoi zvoglimin e kësaj përqindje në listën e mbrojtur. Sidoqoftë unë duhet të them dy fjalë këtu për spekullimin e tmerrshëm masiv që bëhet: deputetë të partisë – deputetë të popullit. Qesharake! Çdo deputet në listat e partisë është deputet i partisë, përndryshe ai e ka të lirë të jetë deputet i pavarur dhe ne bëmë edhe për deputët e pavarur, hoqëm pengesat e mëdha që ekzistonin më parë. Pra, nuk ka deputetë të popullit dhe të partisë, e vërteta është ka deputetë të listave të partisë të vendosur në lista vetëm nga partia. Në përputhje me gjykimin e saj për pozicionin, në këtë kontekst ne jemi absolutisht për një përqindje më të vogël, por theksoj se nga 43 vende në të cilat funksionojnë listat e hapura, janë vetëm 3 vende në të cilat listat janë të hapura plotësisht. Në 40 të tjera shkalla e hapjes së listave varion në përqindje të ndryshme. PD duke qendruar plotësisht për hapjen e listave nuk pranon kategorikisht të vendoset në asnjërin ekstrem të hapjes së tyre dhe këtë e konsideron qendrim publik politik të saj. Por, theksoj se në qoftë se u futën 3 deputetë me herësin 10 mijë, pa herës shanset janë të futen edhe 43 deputetë në Parlament nëpërmjet garës së hapur të listave të hapura.
Zgjidhja jonë, që në fund u ra dakord, mundëson që jo vetëm emigrantët, po kushdo tjetër për arsye që i ka zgjedhur vetë, pune, punësimi, studimi, shërbimi diplomatik apo ushtarak, kurimi apo arsye tjetër, që gjendet atje për një kohë të caktuar, të regjistrohet në mënyrë të sigurt jo nëpërmjet filtrit të Ministrisë së Brendshme, qeverisë, por nëpërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me rregulla konsensuale të garantuara në mënyrë të thjeshtë, të shprehë votën në mënyrë të lirë.
Ne kemi kërkuar gjithashtu dhe kjo është reflektuar që mundësia e votimit nëpërmjet një shërbimi postar të shpejtë ndërkombëtar për të garantuar edhe paanshmërinë e këtij shërbimi”, theksoi Berisha./ata