Këto që shihni në këto pamje janë uzina ku dikur prodhoheshin armë e municione të ndryshme.
Pas viteve 2000 ato u shndërruan në vende ku kryhej demilitarizimi dhe çmontimi i armëve të tepërta, duke i çuar këto uzina pothuajse drejt mbylljes. Por ndryshimi i mjedisit të sigurisë si: agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, kërcënimet dhe rreziqet e tjera ndryshuan planet e mbrojtjes të NATO-s dhe Shqipërisë.
Tashmë vendi ynë do të synojë të riaktivizojë industrinë ushtarake duke hartuar disa ligje të rëndësishme mes tyre “Rregullat e prodhimit dhe tregtimit zhvillimit dhe kërkimit të armëve ushtarake “dhe “Krijimi i shoqërisë tregtare shtetërore KAYO për prodhim dhe tregtim armësh” e cila 100% të aksioneve do t’i ketë shtetërore.
Dorian Tola zv. ministër i Mbrojtjes: Uzina e Lëndëve plasëse në Mjekës, Uzina Mekanike në Gramsh dhe Kombinati Mekanik në Poliçan të 3 këto asete që ne i kemi sot, aktivet e tyre do t’i kalojnë shoqërisë tregtare KAYO që është me aksione shtet. Ndërsa detyrimet e prapambetura do të përballohen nga buxheti i shtetit. Që nga municioni, pajisje, mjete dhe teknologji ushtarake janë të mundshme për t’u prodhuar në Shqipëri. Do të fillojmë me prodhimin e municionit të kalibrit 5.56 mm deri në 110 mm që janë kërkesa dhe nevoja e Forcave tona të Armatosura.
Shqipëria synon që të tërheqë edhe kompani të huaja për të zhvilluar këtë aktivitet në Shqipëri pasi të jenë licensuar dhe të garantohet që aktiviteti i tyre do te jetë në përputhje me interesin e sigurisë kombëtare.
Dorian Tola: Shqipëria do të jetë një vend atraktiv për të zhvilluar industrinë ushtarake. Në paketën lidhore që ne kemi propozuar janë parashikuar disa lehtësi fiskale dhe jo vetëm. Lehtësia fiskale përfshin uljen e e normës së fitimit koorporativ 5% për 5 vitet e para, Një shkallë të reduktuar për tatimin mbi vlerën e shtuar për shitjet prej 10 %. Përjashtim nga taksat doganore për një kategori të caktuar mallrash të cilat do të përdoren drejtpërsëdrejti për prodhimin e mallrave ushtarake.
Me këtë paketë ligjore është sanksionuar që në Shqipëri është e ndaluar të prodhohen armët të dëmtimit në masë si ato kimike dhe ato bakteriologjike./TopChannel