Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot se PS mirëpriti 34 mijë anëtarë të rinj duke e çuar numrin e anëtarësimit në mbi 100 mijë.
Në fjalën e tij në kongresin Zgjedhor të PS-së, Klosi tha se “në listën e anëtarëve të shtuar rishtaz ishin mbi 12 mijë të rinj dhe 15 mijë shoqe duke rritur ndjeshëm diversitetin dhe përfaqësimin brenda partisë”.
“Kjo fazë në lejoi gjithashtu të pastronim bazën tonë të të dhënave nga anëtarësimet fiktive duke siguruar një regjistrim të saktë e të besueshëm të anëtarëve të partisë sonë”, tha Klosi.
Klosi u shpreh se “krijuam një lidhje reale mes organizatës së PS dhe qendrës së votimit. 43% e delegatëve janë shoqe, 15% delegatë janë nën moshën deri 30 vjeç duke siguruar energji të mirë për partinë tone”.
“Mbi 700 delegatë zgjidhen për herë të parë duke theksuar angazhimin tonë për të sjellë zëra të rinj”, tha Klosi.
Ministri Klosi tha se “siguruam që votat e emigrantëve të jetë një realitet politik’.
“Kongresi Zgjedhor i PS-së ka një mision historik që të sjellë mandatin e katërt të PS-së. Ky numër i madh anëtarësimesh, kaq shumë mbështetje për vizionin politik Shqipëria 2030, na kërkojnë të marrim vendimin për vazhdimin e procesit të rienergjizimit, hapjen, përgatitjen e partisë sonë jo vetëm që të fitojë zgjedhjet e radhës, por të jetë platformë që mbështet vizionin e kryeministrit Rama “Shqipëria 2030””, tha Klosi./ata