Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha sot se brenda këtij viti, përfundon aeroporti ndërkombëtar i Vlorës.
Në fjalën e saj në videon e prezantuar në nisje të Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste , Balluku tha se ky aeroport do të presë udhëtarët e parë në vitin 2025.
“Po punojmë për projektin e hekurudhës Durrës- Prishtinë. Pas pak ditësh do të çelet gara për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano. Ndërkohë portet turistike të Durrësit e Vlorës janë në kantier ndërtimi do të pasohen me portin e Sarandës dhe Lezhës ku kemi hasur vështirësi me pronësinë”, theksoi Balluku.
Zv/kryeministrja Balluku u shpreh se “zotohemi që në 2030 do të bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë. Së shpejti hapet gara për segmentin Milot Balldren e do të kryhet projektimi për segmentin Milot – Poliçan”.
Partia Socialiste po zhvillon sot Kongresin Zgjedhor në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Gjatë punimeve të Kongresit, Rama pritet të prezantojë platformën e re për përzgjedhjen e deputetëve për zgjedhjet e 2025./ata