Ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta gjatë vitit 2021 kanë rritur numrin e të punësuarve në vendin tonë.
Sipas INSTAT, në këto ndërmarrje janë punësuar 18.3% e totalit të personave që rezultojnë të punësuar, nga 16.4 % në vitin 2020.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, në ekonominë shqiptare ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga shtetet e Bashkimit Evropian janë mbizotëruese në aktivitetet shërbime, tregti dhe industri.
Por përqindja më e lartë e të punësuarve në ndërmarrjet me pronësi të huaj dhe të përbashkët është në sektorin e industrisë përpunuese, me 36.7 %.
Nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta italiane mbulojnë 47.7 % të punësimit dhe 21.5 % të shitjeve neto.
Të dhënat tregojnë se ndërmarrjet me 250 dhe më shumë të punësuar kanë zënë 36.6 % të të punësuarve gjithsej si dhe kanë realizuar pjesën më të madhe të shitjeve neto me 32.9 %.
Sipas INSTAT-it, ndërmarrjet nga vendet e BE-së me 1-9 të punësuar mbulojnë 83.8 % të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa ndërmarrjet me 250 e më shumë të punësuar mbulojnë 1.4 %.