Normaliteti i ri i kursit të këmbimit, me euro që këmbehet 100 lekë po sjell pasoja në arkën e shtetit. Të ardhurat e planifikuara nuk u realizuan vjet, dhe plani nuk po arrihet as këtë vit, tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Të ardhurat e mbledhura nga TVSH në import gjatë vitit 2023, arritën në 146.4 miliardë lekë, rreth 6.7% më pak se plani për vitin e shkruar ose 10.5 miliardë lekë më pak se 2022-shi.
Në buxhetin faktik të 2023-shit, Ministria e Financave thotë se për shkak se të ardhurat ishin planifikuar bazuar në kursin e këmbimit 1 euro 120 lekë, zhvlerësimi i euros ka goditur të ardhurat duke ulur të hyrat në buxhet.
“Gjatë vitit 2023 ka patur një deviacion të theksuar në ulje nga ky kurs këmbimi i projektuar, çka ka impaktuar ndjeshëm të ardhurat nga TVSH në import. Baza mbi të cilën llogaritet tatimi mbi vlerën e shtuar në import, është impaktuar jo vetëm nga tendenca në rënie e çmimeve të mallrave të importuara në 2023 krahasuar me rritjen e tyre në vitin 2022, por më së shumti, nga ulja e vlerës mbi të cilën llogaritet TVSH në import për shkak të kursit të këmbimit, thuhet në raportin e zbatimit të buxhetit në vitin 2023.
Ndikimi i zhvlerësimit të euros është prezent edhe në treguesit e këtij viti. në gjashtëmujorin e parë të vitit referuar të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga TVSH-ja, nuk janë realizuar sipas planit. Konkretisht nga janari në qershor u mblodhën 102.7 miliardë lekë, edhe pse në rritje krahasuar me vjet, vlera është 251 milionë lekë më pak se plani i Ministrisë së Financave.
Monedha evropiane nga 103.88 lekë që këmbehej në fund të vitit 2023, aktualisht tregtohet me 100 lekë, duke rënë me afro 4%. Ndërsa në raport me vitin 2022, euro është zhvlerësuar me mbi 15%./Shqiptarja