Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka pritur një takim në MEPJ, Ministrin për Punët e Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakovic.
Gjatë një deklaratë të përbashkët për mediat me homologun e tij, Hasani është shprehur se Shqipëria mbështet Bosnje-Hercegovinën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Procesi i integrimit Europian ishte një tjetër kapitull i rëndësishëm i bisedave. Shpresoj se jemi në një dinamikë pozitive të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian. Shqipëria vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Bosnje Hercegovinës dhe hapat e hedhur në këtë drejtim që së fundi ka dhënë rezultat konkret në procesin e integrimit të Bosnjë-Hercegovinës. Statusi i vendit kandidat për çeljen e negociatave është jo vetëm një stimul i fuqishëm, por edhe një konfirmim në rrugën e afrimit me Bashkimin Europian.
I shpreha kolegut Konakovic vullnetin dhe gatishmërinë për të mbështetur Bosnje-Hercegovinën në rrugën drejt BE përmes shkëmbimit të përvojës dhe asistencës teknike. Kjo prespektivë përveçse na ndihmon që të kuptojmë më mirë njëri- tjetrin na ndihmon edhe për të na afruar më shumë. Dhe në këtë konteks integrimi ekonomik e rajonal, përmirësimi i ndërlidhjes dhe tregtisë mes nesh si dhe me BE luan një rol të veçantë shtytës dhe mbeten prioritet i rëndësishëm që sjell përfitime të qarta për ne dhe qytetarët.
Gjatë bisedës që pata me kolegun konstatum se ndajmë një qasje të njejtë në drejtim të përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe i shpreha kërkesën për një rivlerësim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale apo edhe për lehtësimin e disa problematikave që kanë të bëjnë me shkëmbimet ndërnjerëzore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Si vende fqinje në rajon, por edhe në një kontekst me të gjerë lypet që Kosova të shihet në një optike më bashkëkohore.
Prekëm edhe çështjet shqetësuese të sigurisë dhe paqes në Ukrainë dhe në Gaza. Konstatuam se pikëpamjet tona për rreziqet dhe përballimin e tyre për Ballkanin Perëndimor janë të njejta ose të përafrueshme me palën boshnjake. Shqipëria mbështet tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjes. Në muajin Maj Shqipëria mbështeti dhe bashkësponsorizoi rezolutën e OKB-së për gjenocidin e Srebrenicës. Mesazhi ynë është shumë i qartë, një ngjarje e tillë nuk duhet të përsëritet”, tha Hasani./Opinion