Libani njoftoi se ka marrë garanci ndërkombëtare se një sulm i mundshëm izraelit në përgjigje të sulmit me raketa në qytetin Druze do të jetë "i kufizuar", siç do të jetë përgjigjja nga Hezbollahu.

Teksa Izraeli ka fajësuar Hezbollahun për sulmin e së shtunës, grupi libanez mohoi përgjegjësinë.

"SHBA-ja nuk e mbështet zgjerimin e luftës, por nëse Izraeli dëshiron ta bëjë këtë, SHBA-ja nuk do ta ndalojë atë dhe nuk do të ndalojë furnizimin e saj me armë", tha ministri i Jashtëm i Libanit, Abdullah Bou Habib, në një intervistë për kanalin libanez Al-Jadeed.

"Ne kemi marrë garanci nga vendet e interesuara se reagimi izraelit do të jetë i kufizuar, ashtu si edhe përgjigjja e Hezbollahut", shtoi Bou Habib.

Ai vuri në dukje se Hezbollahu është ai që lufton kundër Izraelit, jo shteti libanez.

"Është për të qeshur dhe tragjike që Izraeli, i cili ka kryer masakra në Gaza, dëshiron të mbrojë civilët në Golanin e pushtuar sirian. Ne dënojmë çdo agresion kundër civilëve kudo", tha Bou Habib.

Lartësitë e Golanit ndodhen në Sirinë jugperëndimore dhe kanë një rëndësi të madhe strategjike. Izraeli e ka pushtuar këtë zone që nga lufta e vitit 1967 dhe e ka aneksuar në vitin 1981, një veprim që nuk është njohur nga Kombet e Bashkuara, të cilat e konsiderojnë këtë tokë pjesë të Sirisë.

Pas një takimi urgjent katërorësh, kabineti izraelit i sigurisë autorizoi dje kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për të përcaktuar mënyrën dhe kohën e sulmit ndaj Hezbollahut.

Frika është rritur për një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut në mes të një shkëmbimi të sulmeve ndërkufitare midis dy palëve. Përshkallëzimi vjen në sfondin e një sulmi vdekjeprurës izraelit në Gaza, në të cilin janë vrarë më shumë se 39.300 palestinezë që nga tetori i kaluar, pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas./aa