Më shumë se 5 mijë persona janë evakuuar për shkak të shirave të dendur dhe përmbytjeve në qytetin Sinuiju, në veriperëndim të Koresë së Veriut.
Sipas lajmit të Agjencisë Qendrore të Lajmeve (KCNA) të Koresë së Veriut, reshjet në vend kanë shkaktuar që niveli i ujit të lumit Yalu në kufirin Kore-Kinë të kapërcejë kufirin e rrezikut.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un i cili shkoi në Sinuiju për të bërë inspektime, urdhëroi shpëtimin me varka dhe helikopterë ushtarakë të më shumë se 5 mijë personave që mbetën të bllokuar në rajon për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga vërshimi i lumit.
Kim i cili udhëhoqi operacionin e shpëtimit të mbështetur me helikopterë të ushtrisë së Koresë së Veriut, i vlerësoi si "mrekulli" punimet në të cilat u shpëtuan më shumë se 5 mijë njerëz.
Duke dhënë udhëzime për sigurimin e ushqimeve dhe nevojave të tjera për të prekurit nga përmbytjet, Kim tha se duhet të ndërmerren hapa të shpejtë për parandalimin e fatkeqësive të mundshme.
Nuk janë dhënë informacione nëse ka viktima apo dëme të shkaktuara nga përmbytjet./aa