Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të kësaj force politike.
Basha komentoi votimin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilin e konsideroi si pazar antikushtetues mes Ramës dhe Berishës. Ai gjithashtu deklaroi se po bëhet gati drafti për ta çuar në Gjykatë Kushtetuese sepse formula është antikushtetuese dhe bie ndesh me standardet minimale për zgjedhje të lira.
“Pas vendimit për të mbyllur listat, janë hedhur në justifikime që i kanë identike me njëri-tjetrin. Fakti është që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj i hapi listat”, tha Basha.
Sipas tij, “ky është një fakt i pranuar botërisht, nga përfaqësia diplomatike e OSBE-së në Tiranë, zyrtarisht, e pranuar publikisht nga përfaqësuesit politik të PS-së”.
“Tani e kanë izoluar plotësisht 1/3 e listës, për çdo parti që merr pjesë në zgjedhje. Edhe nëse një kandidat në listat e hapura merr 7 mijë, 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë vota, por partia mbetet brenda numrit të mandateve të fiksuara, që në Tiranë është 12, 1/3-ta, ky kandidat mbetet jashtë dhe votat e tij i shkojnë kandidatëve të emëruar nga kryetari. Kjo padiskutim është antikushtetuese, kjo i bie ndesh çdo parimi, jo vetëm kushtetues, por minimumit të standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, theksoi ai.
Ndaj, Basha tha se “bazuar mbi këtë dhe mbi shkelje të tjera të Kushtetutës, ekipi më i mirë i juristëve kushtetues që ka Shqipëria, me asistencë të konstitucionalistëve më të mirë të Europës, po bëjnë gati çështjen për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese”./ata