Sipas inventarit të fundit, realizuar në vitin 2021, rreth 40 përqind e sipërfaqes së Shqipërisë është e mbuluar nga pyjet, ç’ka dëshmon për një pasuri të madhe për ekonominë dhe biodiversitetin e vendit. Megjithatë, gjatë 30 viteve të fundit kjo pasuri kombëtare është keqpërdorur dhe keqmenaxhuar. Moratoriumi për pyjet, i vendosur në vitin 2016 dhe që vazhdon ende, ka frenuar në një masë prerjet e jashtëligjshme, por pa ndikuar sa duhet në shtimin e sipërfaqeves pyjore. Sipas specialistit të pyjeve dhe mjedisit, Mark Rupa, kjo për shkak të pamundësisë së strukturave përgjegjëse për të menaxhuar dhe mbrojtur nga dëmtimi sipërfaqet pyjore, por edhe zjarret thuajse të përvitshme.

“Sipas sistemit europian të informacionit për zjarret në pyje, Në Shqipëri për vitin 2024 kemi rreth 36 zona të prekura nga zjarri në një sipërfaqe të përgjithshme të djegjes prej 11 mijë hektarësh. Është një sipërfaqe e konsiderueshme. Në qoftë se i referohemi statistikave edhe nga vendet fqinje, në Malin e Zi janë rreth 96 zona ku ka rënë zjarr, por sipërfaqja e djegur është më e vogël”.

 

Këtë vit, thuajse çdo ditë vazhdojnë të regjistrohen më shumë se 20 vatra zjarri në qarqet Shkodër, Dibër, Kukës, Gjirokastër, Vlorë apo Lezhë.

Ndryshimet klimatike të viteve të fundit kanë ndikuar në zgjatjen e sezonit të zjarreve në sipërfaqet pyjore edhe në Shqipëri. Dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, profesor Leonidha Peri, thotë se tani zjarret fillojnë që në muajin mars dhe vazhdojnë deri në fund të tetorit, ndërkohë që vite më parë nisnin në muajin qershor deri në shtator. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë një periudhe 13 vjeçare, nga viti 2009 deri në 2021, në Shqipëri u dogjën nga zjarret më shumë se 230 mijë hektarë pyje.

“Po marr këtu vitet 2007, 2011, 2012, 2017. Në vitet 2011-2012 kemi të djegur ose të përshkuar nga zjarret rreth 50-60 mijë hektarë. Po edhe në vitin 2017, 2021 nuk jemi në këto nivele, por jemi në nivelin e 30 apo 40 mijë hektarë. Pra, ndryshimet klimatike e kanë rritur riskun dhe do ta bëjnë këtë risk të zjarreve edhe më të madh. Ndaj këtu, mes të tjerash, është edhe përgjegjësia e sektorit të pyjeve”./Bold