Burgu izraelit "Sde Teiman", një instalim ushtarak në shkretëtirën Negev në pjesën jugore të Izraelit, mban mijëra palestinezë që janë arrestuar në Rripin e Gazës nga forcat izraelite gjatë sulmit të tyre shkatërrues që nga 7 tetori.

Që në ditët e para të luftës së Izraelit në enklavë, burgu i njohur si "Guantanamo i Izraelit", ishte gjithmonë në ballinat e lajmeve, pasi u shfaqën raporte për shkallën e torturës dhe shkeljeve të kryera kundër të burgosurve palestinezë brenda objektit, i cili ndodhet larg dhe nuk është nën mbikëqyrjen e grupeve të të drejtave të njeriut.

Sipas Radios së Ushtrisë së Izraelit, 10 ushtarë u arrestuan kohët e fundit për t'u marrë në pyetje si pjesë e një hetimi për përdhunimin në grup të një të burgosuri palestinez nga Gaza në këtë burg.

Si kundërpërgjigje, qindra protestues izraelitë, përfshirë zyrtarë, sulmuan objektin e burgut për të protestuar kundër arrestimit të ushtarëve për incidentin.

- Historiku i abuzimeve

Baza ushtarake, e cila aktualisht është nën komandën e ushtrisë jugore, u krijua pas një operacioni nga Agjencia Hebraike për të sjellë 49 mijë hebrenj nga Jemeni në Izrael në vitet 1949 dhe 1950.

Gjatë luftërave izraelite në Gaza në 2008 dhe 2014, qindra palestinezë nga Gaza u arrestuan dhe u dërguan në "Sde Teiman". Në luftën e fundit izraelite në Gaza, Izraeli arrestoi qindra palestinezë dhe i klasifikoi ata si "luftëtarë të paligjshëm".

Në një deklaratë, Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael tha se të arrestuarve u privohet ushqimi dhe kur hanë, ata e bëjnë këtë me sy të lidhur dhe me pranga. Ai shtoi se burgu është i stërmbushur dhe të burgosurit flenë dhe kryejnë nevojën me sy të lidhur dhe të lidhur me pranga, ndërkohë që nuk ka as kujdes shëndetësor dhe si pasojë ka shumë raste të vdekjeve.

Gjithashtu, nuk ka një numër të saktë të të burgosurve palestinezë në "Sde Teiman".

Në mesin e korrikut, e përditshmja izraelite "Haaretz" raportoi se ushtria izraelite që nga 7 tetori ka mbajtur në "Sde Teiman" kufomat e 1.500 palestinezëve që besohet se janë njerëz të armatosur të Hamasit.

"Haaretz" citoi një ushtar izraelit që shërbeu në "Sde Teiman" të ketë thënë se trupat mbahen në frigoriferë dhe janë klasifikuar si numra, jo në bazë të emrave.

 

- Peticion për mbylljen e burgut "Sde Teiman"

Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael, së bashku me pesë grupe të tjera të të drejtave të njeriut, paraqitën një peticion në maj përpara Gjykatës së Lartë izraelite për mbylljen e menjëhershme të burgut.

Në peticion thuhet se në muajt e fundit janë grumbulluar prova për shkeljet në burg. Shoqata tha se në objektin e burgut u kryen operacione kirurgjikale pa anestezi dhe të burgosurit u prangosën në mënyra që shkaktonin amputime.

Gjithashtu u theksua se një spital fushor ishte krijuar në burg, por ai nuk ofron kujdesin minimal shëndetësor të nevojshëm për të paraburgosurit. Sipas "Haaretz", 36 palestinezë kanë vdekur në burg që nga 7 tetori.

 

Dëshmitë për torturat

Gjykata e Lartë izraelite është ende duke shqyrtuar lëndën e parashtruar nga organizatat izraelite të të drejtave të njeriut ku kërkohet mbyllja e menjëhershme e burgut "Sde Teiman" pas raportimeve për torturat dhe vrasjet e palestinezëve në këtë qendër.

"Haaretz" citoi një ushtar izraelit, i cili ishte pjesë e "Forcës 100" të ushtrisë, që mbikëqyr burgun, duke konfirmuar trajtimin e keq ndaj të burgosurve.

Bazuar në dëshmitë e të burgosurve të liruar së fundmi, ata janë subjekt i formave të shumta të torturës dhe trajtimit çnjerëzor, përfshirë zhveshjen e detyruar, lidhjen dhe mbylljen e syve, torturë me rrymë elektrike, uri sistematike dhe prerje të trupit me mjete të mprehta.

Abuzime të tjera të raportuara përfshijnë privimin nga gjumi, larja dhe kujdesi mjekësor, sulme të qenve dhe ekspozim ndaj të ftohtit ekstrem.

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

Mbi 39.300 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 90.900 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Mbi nëntë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e urdhëroi atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa