Të paktën 140 persona janë lënduar si pasojë e përplasjes së një treni pasagjerësh me një kamion mallrash dhe daljes nga shinat në rajonin Volgograd të Rusisë.

Në njoftimin e kompanisë "Hekurudhat Ruse" thuhet se treni i pasagjerëve që shkonte nga Kazan në rajonin Adler bëri një aksident në Volgograd.

Në deklaratë thuhet se treni ka dalë nga shinat për shkak të përplasjes me një kamion mallrash dhe se rreth 140 persona janë lënduar ndërsa 16 persona janë dërguar në spital.

Komiteti Rus i Hetimeve njoftoi se ka nisur një hetim për aksidentin./aa