Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, gjatë një adresimi në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e BE-së (COSAC) të hënën në Budapest të Hungarisë, ka kërkuar progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Varhelyi, mandati i të cilit është drejt përfundimit, por është nominuar sërish për këtë post nga presidenti hungarez, Viktor Orban, ka shtuar se pret nga Kosova përmbushjen e detyrimeve – dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë përmes dialogut. Ne presim që palët të ndjekin përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi dhe progres në zbatimin e detyrimeve të tyre në kuadër të dialogut – duke filluar me dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën./Tema