Kreditimi i ekonomisë u rrit në vlerën 795.6 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti, kundrejt 782.9 miliardë lekëve që ishte në muajin maj, sipas të dhënave publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë.
Në harkun kohor të një muaji kredia rezulton rreth 1.6% më e lartë, më një shtesë prej 12.6 miliardë lekë.
Sipas BSH-së me bazë vjetore, kredia këtë vit rezulton 11.5% më e lartë, (qershor 2024- qershor 2023) me një shtesë prej afërisht 82 miliardë lekësh apo afro 800 milionë eurosh. Kjo rritje i atribuohet kryesisht zgjerimit të kreditimit të biznesit dhe korporatave të tjera financiare.
Referuar statistikave, kredia për biznesin ka shënuar përmirësim të dukshëm në qershor të këtij viti.
Nga 438.2 miliardë lekë në maj, ajo është shtuar me më shumë se 9 miliardë lekë në qershor, duke arritur në rreth 447 miliardë lekë. Krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të shkuar, kredia për biznesin është rritur me rreth 10.6%./ata