Një nga investimet e rëndësishme të qeverisë në mbështetje të bujqësisë është edhe garantimi i ujitjes së tokave bujqësore, që ka dyfishuar sipërfaqen e tokës së punueshme në Shqipëri, duke e çuar atë nga 120 mijë ha, në 240 mijë ha.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna e përditshme që  kryhet në mbështetje të fermerëve në fshatin Kallm i Madh në Fier, për rehabilitimin e sistemit kullues.

 

Ndërsa ndau pamje nga tokat e mbjella, Rama tha se po vijon puna edhe në shumë fshatra të tjerë të zonës.

 

Rehabilitimi i sistemit të kullimit dhe vaditjes konsiderohet si investimi më i mirë që po i bëhet ripërtëritjes së bujqësisë dhe ekonomisë së vendit.

 

Në këtë drejtim, ndërhyrje rrënjësore për sistemimin e kanaleve kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhet në gjithë fushën e Myzeqesë.

 

Rindërtimi i sistemit kullues të tokave ka lehtësuar situatën e përmbytjeve, por edhe ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore.

 

Ringritja e sistemit të kullimit të tokave bujqësore garanton që fermerët e fushës së Myzeqesë të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.

 

Po ashtu, hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse.

 

Me ndarjen e re territoriale rreth 50 % e gjithë territorit të bashkisë Fier është zonë rurale dhe pothuajse tërësisht është zonë bujqësore dhe me tokë shumë pjellore./ATSH