Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji bëri sot një bilanc të veprimit opozitar gjatë këtij sesioni parlamentar, ndërsa garantoi se “PD do të qëndrojë fort për interesat e qytetarëve”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gjergji u shpreh se sesioni parlamentar që u mbyll ishte një histori suksesi për opozitën.
“Deputetët demokratë ia dolën që prej shtatorit e deri në fund të korrikut të qëndronin për kauza të forta, për çështje që kanë të bëjnë me interesin publik dhe të qytetarëve, duke përfaqësuar plotësisht votuesin”, tha ajo.
“Betejat në parlament, denoncimi i aspekteve më negative të qeverisjes, dhe lufta për transparencë dominuan skenën politike. Opozita ja doli të përcaktojë axhendën, të imponohet në pjesën më të madhe të kohës. Ishte pikërisht ky sesion, në sallën e parlamentit nga ku nisi dhe bashkimi i demokratëve pas gati dy vitesh ndasi e konflikt”, tha ajo.
Gjergji theksoi se opozita ja doli të kërkojë llogari e të bëjë përgjegjës ministrat e qeverinë për të drejtat e studentëve të mjekësisë, për profesionet e lira, për fermerët.
“Asnjë anëtar i qeverisë nuk i ka shpëtuar dot llogaridhënies përmes interpelancave, apo debateve, ose thirrjes në komisione. Mazhoranca nuk ka asgjë për t’u krenuar nga sesioni që shkoi, pasi nuk ja doli të prodhojë diçka në interes të qytetarëve. Me ndryshimet që ndodhën papritur, drejtimi i ri i Kuvendit nuk premton garanci për rregulloren, për Kushtetutën, apo për interesin publik. Përkundrazi, gjasat janë që të kenë më shumë fanatizëm partiak, e përpjekje të rritura për të ngushtuar hapësirat e të drejtat e opozitës”, u shpreh ajo./ata