Investimi për rehabilitimin e rrugëve rajonale dhe rurale me mbështetjen e Bankës Botërore në tetë bashki të Shqipërisë, ka nxitur zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në zonat e largëta rurale.
Në një publikim të saj BB, shkruan se, “rrjeti i rrugëve të Shqipërisë prej 15,000 kilometra, është si oksigjen për komunitetet, duke lehtësuar tregtinë, aksesin në shërbime dhe lidhjet me pjesën tjetër të vendit”.
“Atje ishte një urë njëkalimshe që u shkatërrua nga përmbytjet. Ura e vjetër shkaktonte radhë të gjata makinash. Fermerët, të ngarkuar me prodhime, nuk mund të kalonin dhe duhej të prisnin dy orë për të shkuar në shtëpi. Edhe kalimi i bagëtive ishte i pamundur,” kujton Feruze Vushi, banore e fshatit Darëzezë e Re.
Duke kuptuar urgjencën për ndërhyrje, Shqipëria, në partneritet me Bankën Botërore, nisi Projektin e Konektivitetit të Rrugëve Rajonale dhe Lokale në vitin 2018, i cili ndihmoi në rehabilitimin e nëntë rrugëve rajonale dhe rurale që shtrihen në tetë bashki.
Për këtë projekt ishte thelbësor angazhimi dhe pjesëmarrja aktive e komunitetit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, agjencia zbatuese e projektit, u sigurua të përfshijë zërat lokalë gjatë procesit të planifikimit dhe projektimit—një qasje gjithëpërfshirëse që ndihmoi në përshtatjen e investimit me nevojat specifike të komunitetit.
Kjo jo vetëm ndihmoi në përmirësimin e sigurisë, aksesueshmërisë dhe përballimin më efikastë ndryshimeve klimatike, por gjithashtu krijoi dhe një ndjenjë të përkatësisë ndaj investimit dhe krenari mes banorëve.
Neki Tafa, kryetari i fshatit Darëzezë e Re, mbështeti nevojën e korsive të dedikuara për këmbësorët dhe çiklistët që ka kontribuar në përmirësimin e jetës së komunitetit: “Ura e re na ka lehtësuar qasjen në fushat dhe tokat bujqësore, dhe fëmijët janë të sigurt kur shkojnë në shkollë. Dhe pas të gjitha këtyre investimeve, ka raste që njerëz nga qyteti po vijnë për të marrë toka me qira këtu”, thotë ai.
Revitalizimi i Bujqësisë, Çlirimi i Potencialeve për Turizëm
Revitalizimi i rrjetit të rrugëve rurale të Shqipërisë ka krijuar mundësi të reja në sektorin e bujqësisë, duke mundësuar fermerët të kenë qasje më të mirë në tregje dhe qendra përpunimi, duke evituar prishjen e produkteve. Gjatë segmenteve Pogradec-Tushemisht, Roskovec-Poshnje, Fier-Seman, Bence-Lekdush, Gusmar-Kuç dhe Nivice-Progonat, lidhja më e mire me rrugë ka nxitur tregtinë e produkteve bujqësore, ka ulur kostot e transportit, ka rritur të ardhurat e fermerëve dhe nxitur ekonomitë lokale. Në fshatin Kuç, Qazim Balili, pronari i një ferme peshku, reflekton mbi ndryshimin që këto investime kanë sjellë: “Tani rruga e re më kursen kohë dhe para, ndërsa mbrojtëset anësore dhe sinjalizimi rrugor e bëjnë udhëtimin më të sigurt.”
Këto komunitete të paqta, të njohura për bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore në Shqipërisë—janë tani më të aksesueshme, duke hapur mundësi të reja dhe krijim të vendeve të punës në turizëm. Viti 2023 shënoi një bum të paparë për sektorin e turizmit në vend, me më shumë se 10 milionë vizitorë në një vend me rreth 2.8 milionë banorë. Pikat turistike si Thethi, Tushemishti, Nivica, Kuçi, Spille dhe Golemi kanë përjetuar një rritje të numrit të vizitorëve, gjë që ndikon në rritjen e ekonomive lokale dhe nismat e sektorit privat. Dhe bukuritë natyrore si Parku Kombëtar i Thethit, Lugina e Lumit të Vlorës, si dhe ujëvarat, kanionet, kështjellat dhe shpellat në Kuç, Nivicë dhe Kurvelesh, kanë tërhequr grupe turistësh që i tërheq aventura për të eksploruar peizazhet piktoreske. Kjo ka çuar në një kërkesë të shtuar për shërbime dhe akomodime lokale—dhe të gjitha këto kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe diversifikimin aktiviteteve ekonomike.
Si zhvillimi i turizmit ashtu edhe infrastruktura e përmirësuar po ndihmojnë në tërheqjen dhe katalizimin e investimeve të sektorit privat duke nxitur rritje më të qëndrueshme në Shqipëri. Siç thotë Fatmir Berishta, biznesmen dhe pronar hoteli, i cili ndërtoi ziplajnnin e parë në Theth, “Shumë emigrantë po kthehen për të investuar. Njerëzit kanë kthyer shtëpitë në hostele dhe hotele. Dhe nismat e reja private po i plotësojnë më mirë ofertat turistike, duke e bërë zonën tonë më të larmishme dhe argëtuese.”
Ndikimi Transformues
Rindërtimi i rrjetit rrugor të Shqipërisë ka dhënë rezultate të menjëhershme dhe të prekshme. Nga rritja e vlerës së pronave tek krijimi i vendeve të punës dhe zgjerimi i biznesit, efektet e pozitive të konjektivitetit të përmirësuar janë të dukshme në të gjithë Shqipërinë. Koha e udhëtimit u zvogëluan mesatarisht nga 30%, në 75% në disa segmente që çojnë në fshatra malore.
“Suksesi i nismës së rehabilitimit të rrugëve të Shqipërisë nënvizon ndikimin e thellë që zhvillimi i infrastrukturës ka në jetesën e komuniteteve. Duke priorizuar lidhjen përmes investimeve strategjike, Shqipëria po hap rrugën për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillim gjithëpërfshirës”, citon BB në një publikim të saj në rrjete sociale./ata