Skënderbeu nuk humb kohë dhe përgjigjet menjëherë në merkato, duke plotësuar ekipin. Pas largimit të Dean Liços, ku pritet të prezantohet zyrtarisht në radhët e Igdirit në ligën e parë turke, bardhekuqtë mbyllin marrëveshjen me Etien Taren.

Sulmuesi shtatlartë, djali i Igli Tares, prej dy ditësh është në Korçë dhe ka filluar stërvitjen me ekipin bardhekuq. Edhe pse fillimisht u fol për një kalim provizor te korçarët burime të sigurta të gazetës bëjnë me dije se Etien Tare është sulmuesi më i ri i Skënderbeut për sezonin e ardhshëm. Gazeta mëson se djali i ish-sulmuesit të Kombëtares shqiptare do të jetë përforcimi më i ri i Skënderbeut për sezonin e ardhshëm, duke u bërë kështu një futbollist që kërkon konfirmimin nga kampionati shqiptar. Një gjë të tillë e konfirmon edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili për “Panorama Sport” është shprehur se Etien Tare është lojtari i Skënderbeut me të drejta të plota dhe ka arritur akordin për të nënshkruar një kontratë prej tri sezonesh. I lindur në Breshia, Tare është tashmë 20 vjeç dhe ka dalë nga akademia e Lazios në Itali.

Prej andej është transferuar në Austri ku ka luajtur për ekipin e Rapid Vienës e më pas në sezonin e fundit me Sturm Graz në kategoritë e ulëta austriake. Një sulmues me potencial të madh që tashmë vjen si pjesë e Skënderbeut për tre sezonet e ardhshme. Nisur edhe nga fakti që korçarët prej kohësh janë kthyer në promotor të lojtarëve të rinj, Etien Tare shpreson që të gjejë tek Skënderbeu ambientin e duhur për të hedhur hapin e madh në kampionatet e njohura Europiane. Me Taren në ekip duket se Skënderbeu kompleton gjithë repartin ofensiv që nga testet miqësore duket se kishte nevojë për një pikë referimi.

TESTET – Deri në datën 8 gusht Skënderbeu do të vijojë të testojë ekipin e vet me plot tre takime miqësore. Ditën e sotme në orën 19:00 në Korçë kundërshtar do të jetë Tirana në një test miqësor të vërtetë me shije Superiore. Pas Tiranës Skënderbeu do të luajë dhe dy takime të tjera, fillimisht kundër Flamurtarit në 4 gusht dhe për ta mbyllur me Besën në 8 gusht. Me këto ndeshje miqësore Gvozdenoviç do të mbyllë kështu edhe testimet personale sa u përket cilësive të lojtarëve të afruar, duke krijuar një ide më të qartë për organikën prej 25 lojtarësh./Tema