Gjykata kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin se pse shfuqizoi taksën 15% – 23% për 29 mijë biznese që furnizonin shërbime apo të quajtur profesionistët e lirë në seancën e 27 qershorit.


Në argumentet e saj gjykata e fillon me faktin se ligji kishte efekt prapraveprues, që shkon kundër logjikës së sistemit tatimor, pasi deklaratat e 2024-ës bazoheshin mbi ato të një viti më parë kur taksa ishte zero.

Më tej gjykata vijon me argumentet duke mbështetur planë paditëse dhe cilësuar masën si një barrë shpërpjesëtimore dhe se mjeti i zgjedhur është i ashpër, jo i domosdoshëm dhe jo i përshtatshëm. GJK thotë se qeveria shkeli parimin e sigurisë juridike pasi bizneset që do ishin pjesë e taksimit u njoftuan për këtë vetëm 10 ditë më përpara se skema të fillonte zbatimin.

Nuk mund të vihet shenja e barazimit mes një të punësuari dhe të vetëpuënsuari thotë më tej gjykata më e lartë e vendit, pasi këta të fundit kanë përsipër rreziqet e sipërmarrjes dhe nuk janë të mbrojtur nga Kodi i Punës ashtu si punonjësit. Në këtë mënyrë hidhet poshtë një nga argumentet kryesore të qeverisë, se profesionistët e lirë janë evazorë që dalin jashtë listëpagesave.

Diferencimi i këtyre bizneseve nga 90 mijë të tjera që do vazhdojnë të paguajnë zero tatim-fitim deri në 2029-tën është konsideruar gjithashtu diskriminues.

Dy anëtarë të Gjykatës kushtetuese kanë pasur mendim pjesërisht kundër shfuqizimit të këtij ligji, ndërsa një pjesë tjetër mendonin se përveç nenit 69 duhej shfuqizuar pjesërisht edhe neni 24, pika 2, që përcakton shkallën tatimore 15% deri në 14 milion lek.

Qershori ishte dhe muaji i fundit për parapagimin e kësteve të tatim-fitimit, ndërsa me zbardhjen e plotë të vendimit dhe botimit në fletore zyrtare, profesionistët e lirë nuk janë më të detyruar të paguajnë./TopChannel