Policia e Shtetit dhe Policia e Landit të Bavarisë thellojnë bashkëpunimin për sigurinë publike dhe hetimin e krimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Policia e Shtetit bën të ditur se, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi një takim me Presidentin e Policisë së Landit të Bavarisë në Gjermani, Michael Schwald, gjatë vizitës së tij në Tiranë, për të diskutuar marrëdhëniet mes dy organizatave policore dhe forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Rrumbullaku, bëri një panoramë të gjendjes së sigurisë në Shqipëri dhe angazhimit të Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe parandaluar e goditur krimin.
“Shifrat e larta të turistëve vit pas vit, përfshirë ata gjermanë, janë dëshmi e qartë e sigurisë publike që mbizotëron, jo vetëm në qytetet kryesore e zonat bregdetare, por në çdo skaj të vendit. Angazhimi i Policisë së Shtetit, në funksion të turizmit, është madhor, veçanërisht në periudhat kur numri i qytetarëve të huaj, të cilët hyjnë në Shqipëri, është shumë i lartë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Rrumbullaku nënvizoi se, patrullimet e përbashkëta mes policisë shqiptare dhe policive të vendeve me numrin më të lartë të turistëve në Shqipëri kanë qenë rezultative dhe një eksperiencë që duhet shtrirë edhe me Gjermaninë.
Presidenti i Policisë së Landit të Bavarisë në Gjermani, Michael Schwald, vlerësoi bashkëpunimin me policinë shqiptare dhe mbështeti propozimin për patrullimet e përbashkëta, një eksperiencë që funksionon me Francën, Spanjën dhe Kroacinë.
Drejtuesit e të dy policive disktuan edhe mbi thellimin e bashkëpunimit në fushën e hetimit të krimit, si dhe mundësinë e ngritjes dhe funksionimit të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore./ata