Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se 118 organe vlerësimi të konformitetit janë akredituar gjatë 6 mujorit të parë të vitit.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja tha se, akreditimi i organeve të vlerësimit ka shënuar një rritje prej +6% krahasuar me 2023.

“Këto organe janë kyçe për sigurimin e përputhshmërisë së produkteve dhe shërbimeve me standardet ndërkombëtare”, theksoi Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “60 laboratorë janë akredituar gjithashtu, me një rritje prej +11% nga viti i kaluar. Të pajisur me teknologjitë më të fundit, këta laboratorë kryejnë testime të sakta dhe të besueshme”.

“Ndërsa 59 organe certifikuese dhe inspektuese janë akredituar në 2024, një rritje prej +13% krahasuar me 2023, duke siguruar që produktet dhe proceset të përmbushin standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë”, tha Gonxhja./ata