Është rritur në 194 numri i viktimave në rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin Kerala në jug të Indisë.

Përderisa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë në ditën e tretë për më shumë se 180 persona që janë raportuar të zhdukur pas rrëshqitjeve të dheut, shpresat janë duke u pakësuar.

Pinarayi Vijayan, një nga zyrtarët e lartë të Keralës, deklaroi se rrëshqitjet e dheut në të cilat humbën jetën 194 persona dhe u zhdukën më shumë se 180 të tjerë, kanë shkaktuar 186 të lënduar.

Duke shpjeguar se më shumë se 1.100 personel kërkim-shpëtimi u përfshinë pas rrëshqitjeve të dheut, Vijayan tha se "Është një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore që Kerala ka parë ndonjëherë".

Pas shembjes së një ure në rajonin e prekur nga katastrofa, ushtria indiane filloi ndërtimin e një ure të përkohshme.

Bëhet e ditur se më shumë se 8.300 njerëz të prekur nga fatkeqësia në rajon u evakuuan në 82 kampe ndihmash dhe se qeveria ka ndihmuar për ushqimin dhe nevojat themelore për këto kampe.

Rrëshqitjet e dheut në rajonin Kerala ndodhën si pasojë e reshjeve intensive më 30 korrik, ndërsa u dëmtuan rëndë infrastruktura dhe rrugët. Në fshatin Chooralmala u shkatërruan 200 shtëpi.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi nga llogaria e tij X shkroi: "Lutjet e mia janë me të gjithë të plagosurit dhe ata që kanë humbur të dashurit e tyre"./aa