Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, kritikoi kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump, për komentet e tij për përkatësinë e saj etnike, duke i cilësuar si "përçarëse dhe mosrespektuese".
Harris mbajti një fjalim në një aktivitet drejtuar një komuniteti të studenteve kryesisht me ngjyrë në Huston.
Duke reaguar ndaj fjalëve të Trump për përkatësinë e saj etnike se "Ajo dëshiron të njihet si me ngjyrë edhe pse është indiane", Harris argumentoi se kundërshtari i saj ishte "përçarës dhe mosrespektues".
Harris tha se amerikanët meritojnë më mirë, duke shtuar: "Populli amerikan meriton një udhëheqës që thotë të vërtetën dhe nuk përgjigjet me zemërim kur përballet me faktet".
- Trump tha se Schumer është "anëtar i Hamasit"
Nga ana tjetër, Trump, në një fjalim tjetër që bëri pas komenteve të tij për përkatësinë etnike të Harris, për liderin e shumicës në Senat, demokratin Chuck Schumer, tha se "Ai është anëtar krenar i Hamasit".
Duke kujtuar se Schumer, i cili përshkruhet si një hebre i zgjedhur në postin më të lartë zyrtar në SHBA, nuk i dha dorën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump tha: "Chuck Schumer është bërë palestinez".
Ish-presidenti i SHBA-së Trump, në fjalimin e tij në konventën e Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve me ngjyrë në Chicago, për përkatësinë etnike të Harris kishte thënë: "Ajo ishte gjithmonë me origjinë indiane dhe po promovonte trashëgiminë e saj indiane. Nuk e dija që ishte me ngjyrë deri sa ajo u bë me ngjyrë disa vite më parë, dhe tani dëshiron të njihet si me ngjyrë"./aa