Konsumatorët dhe bizneset shqiptare e shohin me optimizëm ecurinë e ekonomisë.
Banka e Shqipërisë publikoi vrojtimin e besimit të bizneseve dhe qytetarëve në ekonomi që tregon se, ka një rritje me 0,7 pikë gjatë muajit korrik.
Kompanitë e ndërtimit janë ato që kanë treguar shkallën më të lartë të besimit në ekonomi. Konkretisht, treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 2.7 pikë përqindje gjatë muajit të kaluar. Niveli i tij aktualisht qëndron 21 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e pritshmërisë për fitime më të larta nga aktiviteti aktual ndërtues, por edhe nivelit të porosive të reja.
Nga ana tjetër, edhe treguesi i besimit të industrisë regjistroi rritje të lehtë me 0.3 pikë përqindje në muajin korrik. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe për nivelin e porosive të reja. Gjithashtu, bizneset ishin optimiste edhe për rritjen e prodhimit industrial në të ardhmen.
Ndërkohë, besimi i sektorit të shërbimeve në situatën ekonomike është rritur me 1.7 pikë përqindje. Ata presin një kërkesë më të lartë për shërbime, e cila do të shoqërohet me një ulje të çmimeve nga ana e tyre.
Vetëm sipërmarrjet që merren me tregti, kanë shfaqur pesimizëm për sa i takon ecurisë së veprimtarisë së tyre tregtare. Treguesi i besimit në tregti regjistroi rënie me 3.1 pikë përqindje në muajin korrik, megjithëse pritet edhe një rritje e çmimeve në të ardhmen.
Ndërsa treguesi i përgjithshëm i besimit konsumator regjistroi rritje me 0.5 pikë përqindje në muajin korrik, duke ndërprerë prirjen rënëse të dy muajve të fundit./ata