Organizata joqeveritare Lëvizja FOL ka publikuar të dhëna për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria e Kosovës në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, realizimi i të cilave është paraparë të përfundojë në periudhën janar-qershor 2024.
Në një konferencë për media, drejtoresha e kësaj organizate, Mexhide Demolli-Nimani, tha se Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të planifikuara për periudhën janar-qershor 2024, ka arritur të realizojë vetëm 49 prej tyre, ose 33 për qind, ndërsa 59 ose 40 për qind kanë mbetur të parealizuara.
"Për 39 aktivitete apo 27 për qind, që i bie totali për tre ministri, siç janë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lëvizja FOL nuk ka marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete për periudhën e paraparë gjashtëmujore të këtij viti dhe për të cilat ne kemi bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe jemi në pritje të realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna", theksoi Demolli-Nimani.
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, duke prezantuar të dhënat lidhur me realizimin e aktiviteteve të planifikuara për të përfunduar në periudhën janar-qershor 2024, tha se një numër aktivitetesh nuk janë realizuar edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM).
"Në zyrën e Kryeministrit, ZKM në 16 aktivitetet e parapara të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të planit kombëtar zhvillimor, 13 prej tyre janë realizuar ndërsa tre kanë mbetur të pa realizuara", tha Kastrati.
Demolli-Nimani tha se Lëvizja FOL bëri një krahasim gjatë viteve të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim të planifikuar për periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. "Në vitin 2022 niveli i zbatimit të planit të punës së Qeverisë kishte rezultuar të jetë me 48 për qind ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës realizoi 34 për qind dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm me 33 për qind për periudhën e parë gjashtëmujore", tha ajo.
Megjithatë, ndryshe nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022, kur ishin planifikuar 2.077 aktivitete, në vitin 2024 ishin vetëm 147, pra 1.930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu, për të njëjtën periudhë të vitit 2022 janë realizuar 1.032 aktivitete më shumë se në vitin 2024.
Nga të dhënat e mësipërme rezulton se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tre vitet e fundit.
Plani Kombëtar për Zhvillim synon ndër tjerash krijimin e sa më shumë ndërmarrjeve që janë në gjendje të prodhojnë mallra dhe shërbime që plasohen suksesshëm në tregjet ndërkombëtare. Një ekonomi më inovative, ku ndërmarrjet e vogla e të mesme përdorin teknologji moderne është ajo në të cilën do të investohet, zhvillimi ekonomik më gjithëpërfshirës nëse përcillet me një zhvillim të qëndrueshëm rural, ku rol të rëndësishëm luan bujqësia me prodhime cilësore dhe lidhja e saj me industrinë lokale të përpunimit./aa