Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, u shpreh se fëmijët palestinezë në Rripin e Gazës kanë qenë dëshmitarë të “mizorive të papërshkrueshme” gjatë 300 ditëve të sulmeve izraelite në enklavë.
"Fëmijët e Gazës po kalojnë mizori të papërshkrueshme", tha komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së, duke shtuar se ata "po jetojnë në traumë dhe tronditje për shkak të 300 ditëve të luftës, zhvendosjes, humbjeve dhe dhimbjes".
Agjencia e OKB-së nisi një program mësimi për fëmijët e traumatizuar në enklavën e shkatërruar nga lufta.
"Ky hap i parë në një rrugë shumë më të gjatë fokusohet në aktivitete që do t'u japin fëmijëve një strehë nga tmerret që ata vazhdojnë të përjetojnë", tha Lazzarini, duke shtuar:
"Përmes sporteve, arteve, dramës, lojërave dhe krijimit të hapësirës për t'u ribashkuar me miqtë, si dhe për të krijuar të miq të rinj, mësuesit tanë po ofrojnë një rreze drite mes errësirës", shtoi ai.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Mbi 39.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 91.000 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Pothuajse dhjetë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e urdhëroi atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa