Qeveria e Gjermanisë ndodhet nën presion lidhur me çështjen e migracionit. Kancelari Olaf Scholz reagon ashpër dhe sulmon direkt verbalisht në debat kryetarin e partisë kristiandemokrate në opozitë, Friedrich Merz.
Olaf Scholz është një njeri i qetë, të cilin është e vështirë ta nevrikosësh.
A mundet ai të dalë jashtë kontrollit, të ngrejë zërin apo të jetë emocional? Ndodh shumë rrallë, që kancelari socialdemokrat të devijojë nga linja e tij e qetë, profesionale dhe e arsyeshme.
Krejt ndryshe ishte prezantimi i tij në Bundestag (11.09.2024) gjatë të ashtuquaturit debati i përgjithshëm. Ky debat zhvillohet gjithmonë javën e diskutimit të buxhetit, kur parlamenti mblidhet të konsultohet për buxhetin e vitit pasues. Qeveria dhe opozita e shfrytëzojnë këtë seancë për debate të përgjithshme edhe lidhur me punën e qeverisë.
Sulme të ashpra verbale
Bilanci nga këndvështrimi i opozitës, sikurse edhe pritej, ishte mizerabël. “Eshtë Gjermania sot më e sigurtë se më 2021? Jo. Eshtë Gjermania sot më e aftë për konkurrencën se më 2021? Jo. Eshtë Gjermania sot politikishht më e qëndrueshme se më 2021? Jo”. Kështu e hapi debatin Alexander Dobrindt, kryetari i grupit parlamentar të konservatorëve bavarezë të partisë kristiansociale (CSU). “Koalicioni nuk është koalicion i përparimit, por i rrënimit të këtij vendi.”
Tema qendrore e debatit ishte politika për azilin dhe refugjatët. Pas dështimit të bisedimeve për migracionin ndërmjet qeverisë dhe kristiandemokratëve/kristiansocialëve (CDU dhe CSU) në opozitë, kancelari dhe kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, shkëmbyen replika të forta duke sulmuar ashpër verbalisht njeri-tjetrin. Ata i ngarkojnë reciprokisht njeri-tjetrit përgjegjësinë për dështimin e përpjekjeve për gjetjen bashkarisht të një zgjidhjeje ndaj problemit të migracionit të parregullt.
Planet për politikën e azilit janë të pamjaftueshme sipas CDU-së
Pas atentatit me thikë në Solingen në mes të gushtit, qeveria paraqiti propozimet për ashpërsimin e ligjeve të migracionit dhe të sigurisë. Në thelb synohet, që qysh në kufi të kryhen procese të përshpejtuara për aplikimet për azil. Refugjatët, të cilëve u refuzohet kërkesa duhet të mbahen në afërsi të kufirit derisa të shqyrtohet aplikimi i tyre për azil.
Këto plane janë “tepër larg asaj që është e domosdoshme” kritikoi Merz në Bundestag. CDU/CSU do që të kthehen qysh në kufi refugjatët, sepse Gjermania ndërkohë është e mbingarkuar me pranimin dhe integrimin e tyre. Njerëzit duhet të paraqesin kërkesën për azil, sipas rregullores së Dublinit, në vendin ku kanë shkelur për herë të parë kufirin e BE-së.
Pushteti i Gjermanisë përfundon në kufirin e Gjermanisë
Merz përsëriti në Bundestag qartazi: “Sipas bindjes sonë janë dhe mbeten ligjërisht të lejueshme kthimet e refugjatëve në kufijtë shtetëror të Gjermanisë, në sfondin e gjendjes aktuale, kjo është praktikisht e mundshme dhe madje politikisht domoshmëri.”
Por qeveria duke iu referuar ligjeve europiane e hedh poshtë këtë. “Disa prej jush janë tani krejt të habitur, që vendet fqinjë janë ende aty ku janë, e na thonë, se ne nuk e pranojmë këtë”, tha kancelari i indinjuar duke iu adresuar grupit parlamentar të konservatorëve. “Meqënëse ka kaq shumë gra e burra me një hubris të madh, po jua them shprehimisht: Pushteti i Republikës Federale të Gjermanisë mbaron në kufijtë e Republikës Federale të Gjermanisë.”
E ka pasur me seriozitet opozita bashkëpunimin?
Scholz e vuri në dyshim, që unioni konsrvator vërtetë e ka pasur seriozisht bashkëpunimin. Ai e quajti këtë si një “shfaqje teatrale” dhe mungesë vullneti për ta zgjidhur vërtetë problemin e migracionit. Unioni konservator qysh në fillim nuk ka synuar arritjen e marrëvshejs dhe më pas “u zhduk”.
Duke iu drejtuar Merz-it, Scholz thirri: “Ju jeni tipi i politikanit, që beson, në një intervistë me gazetën ‘Bild am Sonntag’ se e ka zgjidhur çështjen e migracionit. Por pa dalë mirë nga redaksia, harron se çfarë ka propozuar, sepse asnjëherë nuk e ke pasur në plan të kujdesesh për këtë.”
CDU/CSU nuk është ksenofobe
Ishin sulme personale të pazakonta, toni i fjalimeve ishte pjesërisht i acaruar. Merz u indinjua më shumë nga akuza, se unioni ka synuar qysh në fillim dështimin e bisedimeve për migracionin. Ky hamendësim, se bisedimet “ishin një inskenim”, është “infam”, tha shefi i CDU-së.
Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzën, se unioni është ksenofob. “Gjermania duhet të jetë dhe të mbetet një vend i hapur dhe dashamirës ndaj të huajve.” Unioni është “tërësisht dhe pamëdyshje kundër çdo forme të urrejtjes ndaj të huajve dhe ksenofobisë”.
AfD kryeson edhe në Brandenburg
Gjatë fjalimit të tij Merz më tej kritikoi politikën e qeverisë. Një “shumicë dërmuese e qytetarëve të federatës” nuk u beson më SPD, Të Gjelbërve dhe FDP-së, “se po e sjellin vendin në kursin e duhur”, e shprehu përmbledhtas frymën në vend kreu i CDU-së. Sipas sondazheve aktuale tre të katërtat e gjermanëve janë të pakënaqur me punën e qeverisë.
Zgjedhjet në Saksoni dhe Tyringji ishin një katastrofë për partitë e koalicionit qeverisë. Partia pjesërisht e ekstremit të djathtë, AfD ka fituar dy herë më shumë vota se SPD, Ekologjistët dhe FDP së bashku. Më 22 shtator janë zgjedhjet parlamentare në landin e Brandenburgut. Edhe atje AfD kryeson.
Porta duhet të mbetet e hapur për bisedime
Ndryshimet në politikën e azilit dhe migracionit kërkohen nga një shumicë e qytetarëve. Kancelari Scholz bëri të qartë në Bundestag, se është i hapur për bashkëpunim me unionin konservator. “Të drejtosh nuk do të thotë të ngjitesh në barrikada duke bërë gjeste të egra”, tha ai duke iu adresuar Merz-it. “Drejtim do të thotë, të vesh në lëvizje njerëzit e tu për një kompromis.”/ DW