Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe British Council.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se, kjo është një marrëveshje e rëndësishme për bashkëpunim në fushën e artit, kulturës dhe ekonomisë krijuese për periudhën 2024-2027, partneritet i cili do të përfshijë projekte dhe aktivitete që mbështesin ekonominë krijuese të Shqipërisë, duke sjellë përvojën dhe ekspertizën e Këshillit Britanik për zhvillimin e qendrave dhe programeve kreative.

“Industritë kreative luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e ekonomive më të qëndrueshme dhe të pasura, duke zvogëluar pabarazitë dhe nxitjen e inovacionit. Ky sektor përfshin rreth $2 trilion dhe krijon 50 milionë vende pune në mbarë botën, duke përfshirë shumë gra dhe të rinj. Çdo $1 i shpenzuar krijon $2.5 pasuri për ekonominë dhe mund të përbëjnë 2-7% të PBB-së”, theksoi Gonxhja.

“Me synimin për të përmirësuar politikën dhe kapacitetet e profesionistëve, kjo marrëveshje është një hap i madh drejt një të ardhmeje më të ndritshme për kulturën dhe artet shqiptare karshi përqasjes së tyre me inovacionin”, nënvizoi ministri.

Gonxhja theksoi se kjo marrëveshje është një mundësi e re e inovatore për të thelluar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare./ata