Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në një takim që zhvilloi sot me punonjësit socialë dhe psikologët në shkollat e Tiranës ka vlerësuar punën e tyre, teksa tha se rritja e pagave për ta është e konsiderueshme.
“Rritja e pagës për ju është një rritje vërtetë e konsiderueshme, mesatarisht është një rritje me mbi 23 mijë lekë të reja, që e çon pagën e një punonjësi social apo psikologu me një eksperiencë 15-vjeçare në mbi 90 mijë lekë të reja”, tha Manastirliu.
Krahas rritjes së pagave të mësuesve, një rritje të ndjeshme kanë edhe pagat e punonjësve psiko-socialë pranë shkollave.
Kjo skemë e re motivon punonjësit e rinj, por vlerëson edhe eksperiencën e punonjësve psiko-socialë me vjetërsi pune.
Ministrja Manastirliu ka folur për ridimensionim e figurës së punonjësit social dhe psikologut në shkollë.
“Roli juaj në shkolla është një rol i pazëvendësueshëm, një rol që do vijojë të fuqizohet, pikë së pari për t’i siguruar nxënësve tanë një mbështetje psiko-sociale të duhur, për të fuqizuar instrumentat e parandalimit për fenomenet të cilat janë të dëmshme, të cilat duhen parandaluar në kohë. Jeni të rëndësishëm për strukturat e nxënësve, aq sa jeni edhe për mësuesit. Për mësuesit që hyjnë për herë të parë në sistemin arsimor ju bëni vlerësimin psiko-social të tyre dhe po ashtu ju do të jeni pjesë e këshillimit përgjatë gjithë karrierës së mësuesit në shkollë dhe këshillimit të mësuesit në rastet e rivlerësimeve psiko-sociale, të cilat jemi duke punuar për t’i përfshirë në paketë gjithëpërfshirëse”, tha Manastirliu.
Përfitojnë këtë rritje page rreth 800 punonjës psiko-socialë në shkolla, të cilët kanë një rol të rëndësishëm për krijimin e një ambienti gjithëpërfshirës, për kujdesin ndaj shëndetit mendor të fëmijëve; për mbështetjen që ata kanë nevojë, sidomos në periudhën e adoleshencës; për zgjidhjen paqësore të konflikteve mes nxënësve, por edhe me mësuesit e prindërit.
Gjithashtu, me rolet e reja punonjësit psiko-social në shkolla do të jenë ndihmues dhe bashkëpunues me mësuesit-koordinatorë për të ndërtuar më të plotë profilin e nxënësve dhe për të vënë në pah edhe më shumë aftësitë e tyre./ata