Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditën e djeshme është përballur me një incident ne aeroportin e Shkupit, ku forcat e sigurisë kanë tentuar që t’i marrin celularin.
Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Këshilltari për mediat i Presidentes, Bekim Kupina tha se veprimet e personelit të sigurisë dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.
“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes,” tha ai.
Ndërkohë, sot ka reaguar aeroporti i Shkupit për këtë incident, duke thënë se veprimet e forcave të sigurisë kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, pasi kanë detyrim të ushtrojnë kontroll për të gjithë pasagjerët. Në reagim thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë në pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.
“TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil ... operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.
Ministria e Jashtme e Kosovës tha se ka kërkuar sqarime nga Shkupi, ndërsa e cilësoi situatën si një trajtim jodinjitoz ndaj Presidentes Osmani.
Për rastin reagoi edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, e cila deklaroi se një nga pjesëtarët e sigurimit të Osmanit ka ndërhyrë me qëllimin që ajo të kalonte telefonin dhe valixhen pa e skanuar.
Për më tepër, ministria maqedonase thotë se 3 persona, pjesë e sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Afrim Gashi, filluan të kërcënojnë punonjësit e aeroportit.
Ndërsa, zv.ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni, shtoi se kanë nisur hetimet për incidentin.
Figura të larta politike në Kosovë, por edhe Maqedoninë së Veriut kanë kritikuar veprimet e autoriteteve të Aeroportit të Shkupit, duke i cilësuar si provokim dhe të padenja./Shqiptarja