Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka takuar në Qeverinë e Kosovës ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim, me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, zëvendësambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Paul O'Connor dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conrad u diskutua rreth zhvillimeve në Kosovë dhe temave aktuale.

"Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e BE-së për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.

Tutje bëhet e ditur se konsultimet dhe koordinimi për këtë çështje vazhdojnë.

"Siç thuhet në planin e BE-së për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se 'rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim'. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi", tha Kurti sipas njoftimit.

Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore me shumicë serbe.

Aktualisht aty mund të kalojnë vetëm këmbësorë ndërsa ura ruhet nga KFOR-i Italian.

Çështja e urës mbi lumin e Ibrit u riaktualizua për shkak se në maj të vitit 2024 asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik./aa